Lajmet e fundit
Konferenca Udhëheqësve të Komponentëve të Projektit të Binjakëzimit në Mbështetje Kuvendit të Republikës se Kosovës
, 19.01.2012
Është mbajtur sot në Kuvendin e Kosovës Konferenca Udhëheqësve të Komponentëve të Projektit të Binjakëzimit (PB), në "Mbështetje Kuvendit të Republikës se Kosovës", në të cilën morën pjesë: z. Ismet Krasniqi, Sekretar i Kuvendit, njëherësh udhëheqës i PB-së nga ana e Kuvendit dhe kryesues i konferencës, Zoltán Horváth, udhëheqës i PB-së nga Kuvendi Kombëtar Hungarez apo zbatuesi e projektit, Christof Stock, shef i Operacioneve nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian për Kosovën, Këshilltari Rezident i Binjakëzimit dhe homologu i tij nga Kuvendi Kosovës, si dhe udhëheqësit e nëntë komponentëve të projektit nga Kuvendi Kosovës dhe nga zbatuesit e projektit nga Kuvendi Kombëtar Hungarez.
Në hapje të konferencës, sekretari Krasniqi tha se pas ceremonisë së fillimit zyrtar të Projektit të Binjakëzimit, tash është koha që të fillohet me punën konkrete. Një theks të veçantë z. Krasniqi e vuri në adresimin e sfidave të Raportit të Progresit për administratën e Kuvendit dhe që sipas tij, për adresimin dhe eliminimin e tyre, administrata e Kuvendit pret mbështetjen e projektit. Ai u pajtua me rekomandimet e dala nga pesë vlerësimet e bëra nga ekspertë afatshkurtër të PB-së lidhur me fushëveprimin e administratës se Kuvendit dhe tha se shumë shpejtë do të fillohet me jetësimin e rekomandimeve.
Udhëheqësi i PB-së, z. Zoltan Horváth, falënderoi Sekretarin e Kuvendit për mikpritjen dhe akomodimin e stafit të projektit dhe theksoi se qëllimi kryesor i këtij takimi është njohja për se afërmi e udhëheqësve të komponentëve, si nga Kuvendi i Kosovës ashtu edhe nga PB-ja, gjegjësisht Kuvendi Kombëtar Hungarez. Horvath tha se projekti do të mbështesë me ekspertizë, trajnime, punëtori dhe vizita studimore stafin e Administratës se Kuvendit, në mënyrë që të jetë i aftë të përballet me sfidat e procesit të integrimit evropian, sfida këto të njohura mirë nga Administrata e Kuvendit Kombëtar Hungarez.
Shefi i Operacioneve nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian, z. Christof Stock, tha se BE-ja ka vendosur ta financojë këtë projekt, pasi që Kuvendin e Kosovës e konsideron faktorin kyç në procesin e integrimit evropian të Kosovës. Ai tha se qëllim kryesor i projektit është fuqizimi apo ngritja e kapaciteteve të administratës së Kuvendit, në mënyrë që stafi të jetë i aftë të merret me përafrimin e legjislacionit me ‘acquis communitare' dhe të ofrojë mbështetje të një kualiteti edhe më të lartë për deputetet e Kuvendit të Kosovës.
Stock tha se pret bashkëpunim të plotë nga Kuvendi i Kosovës dhe nga Kuvendi Kombëtar Hungarez, në mënyrë që të realizohen të gjitha aktivitetet e parapa në planin e punës së Kontratës së Binjakëzimit.
Takimi vazhdoi me diskutimet ndërmjet udhëheqësve të nëntë komponentëve nga Kuvendi dhe nga Projekti, lidhur me zbatimin sa më të mirë të aktiviteteve të parapara me kontratën e Projektit.