Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti ministrin e Kulturës së Shqipërisë, z. Aldo Bumçi

, 27.01.2012




Koordinimi i aktiviteteve që kanë të bëjnë me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë ishte temë qendrore e takimit të sotëm të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, me ministrin e Kulturës së Shqipërisë, z. Aldo Bumçi. Pasi u falënderua për këtë pritje, z. Bumçi tha se 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, pa Kosovën e pavarur, nuk do të kishte rëndësinë dhe jehonën që i përket. Në këtë frymë, ai theksoi se trashëgimia kulturore është një tërësi, ndërsa krijimi i hapësirave të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës po sjell prurje të reja dhe të dobishme për kombin, në të gjithë lëmenjtë e jetës, e posaçërisht në rrjedhat kulturore.

Duke i shprehur mirëseardhje ministrit Bumçi, kryekuvendari Krasniqi theksoi se 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë hap një epokë të re për kombin shqiptar. Sa i përket çështjes së diasporës, bashkëbiseduesit ishin unik në konstatimin se pa marrë para sysh se nga vjen ajo, pra nga Kosova, Shqipëria, ose viset tjera shqiptare, ajo është një dhe ashtu duhet të trajtohet. Në këtë vështrim edhe qendrat kulturore që hapen nga Kosova në vende të ndryshme të botës duhet të jenë të përbashkëta.

Bashkëbiseduesit u angazhuan për një zhvillim edhe me të thelluar të bashkëpunimit, në kontekst të shfrytëzimit të mundësive të favorshme që janë krijuar.

 

Kryekuvendari Krasniqi priti ministrin e Kulturës së Shqipërisë, z. Aldo Bumçi