Lajmet e fundit
Grupi i ri i praktikantëve filloi punën në Kuvend
, 24.02.2012
Sot në Kuvendin e Kosovës u organizua një ceremoni me rastin e përfundimit të punës praktike gjashtëmujore të grupit të praktikantëve dhe fillimit të punës së grupit të ri.
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, në këtë rast, falënderoi praktikantët e deritashëm për punën dhe kontributin e tyre në institucionin më të lartë legjislativ të vendit dhe njëkohësisht, i uroi mirëseardhje grupit të ri. Duke i cilësuar me fat studentët e përzgjedhur nga NDI-ja, të cilët për një periudhë të caktuar do të jenë pjesë e punës dhe aktiviteteve të Kuvendit, sekretari Krasniqi tha se kjo do të jetë një përvojë e çmuar në karrierën e tyre të mëtutjeshme.
Drejtori i Programit të NDI-së për ndihmë Kuvendit të Kosovës, Alexander Chavarria, foli për fokusin e angazhimeve dhe përkrahjes së NDI-së për Kuvendin, duke potencuar në këtë rast edhe Programin e Praktikantëve.
Ai tha se do të jetë mundësi e mirë për të përzgjedhurit që të shohin se si funksionojnë institucionet demokratike të Kosovës, ndërsa falënderoi Kuvendin për qasjen e tij të hapur.
Si dëshmi e punës së tyre praktike në Kuvend, praktikantët e deritashëm u pajisën me certifikata.