Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
, 03.04.2012
Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ali Sadriu, u shqyrtua Raporti i Auditimit për Programin për Investime Publike (PIP).
Në këtë takim të pranishëm ishin edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, Auditori Gjeneral, Larse Lage Olofsson, si dhe drejtori i buxhetit në Ministri të Financave, Agim Krasniqi, të cilët raportuan para anëtarëve të komisionit lidhur me raportin e auditimit, duke u përgjigjur po ashtu në disa nga çështjet që u ngritën gjatë këtij takimi.
U theksua se Auditimi i Programit për Investime Publike (PIP) është bërë me qëllim të vlerësimit të funksionimin e tij për vitet 2011-2012, ndërsa u theksua mes tjerash se është testuar dizajnimi i procesit operues dhe është rishikuar niveli i përdorimit nga ana e organizatave buxhetore.
Ministri Hamza gjatë diskutimit të tij tha mes tjerash se disa nga rekomandimet e ZAP-it janë implementuar dhe se disa sosh janë në implementim e sipër, ndërkaq shtoi se disa rekomandime veçse kanë qenë te tejkaluara, mirëpo koha kur është realizuar raporti i auditimit procesi i buxhetit ka qenë në zhvillim e sipër.
Edhe përfaqësues të ZAP-it vlerësuan se gjendja prej kohës që ka filluar auditimi dhe derisa ka përfunduar ky proces, ka përmirësime të dukshme në të gjitha vërejtjet që janë dhënë nga ZAP-i.
Anëtarët e komisionit u dakorduan që Raporti i Auditimit për Programin për Investime Publike (PIP), të mos shqyrtohet në mbledhjen e Kuvendit, meqë për herë të parë ka përfunduar një auditim i tillë i kësaj fushe. Po ashtu, u theksua se duhet të shikohet progresi i arritur pas publikimit të raportit të ardhshëm të auditimit, në mënyrë që të shikohet implementimi i të gjeturave të ZAP-it.
Pas shqyrtimit të këtij raporti, anëtarët e komisionit, u dakorduan që të kërkojnë raport financiar nga zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, lidhur me udhëtimin e stafit të gjinisë femërore të Zyrës së Kryeministrit (ZKM), me rastin e 8 marsit.