Lajmet e fundit

Nga punimet e mbledhjes plenare të Kuvendit

, 18.04.2012




Kuvendi i Republikës së Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka debatuar lidhur me gjendjen në Veri të Kosovës. Seanca është thirrur sipas kërkesës së nënshkruar nga 46 deputetë të Grupit Parlamentar i PDK-së dhe deputetë të tjerë nga radhët e koalicionit qeverisës.

Arsyetimin e kërkesës për seancë të jashtëzakonshme e ka paraqitur kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Ai ka theksuar gjendjen e përkeqësuar në veri të Kosovës për shkak të veprimeve kriminale të strukturave paralele të Serbisë që kulmoi me aktin terrorist ndaj familjes së Selver Haradinajt. Ai është shprehur i bindur se edhe ky debat parlamentar do të ndikojë që gjendja veri të vihet nën kontroll dhe të sigurohet jeta e qytetarëve , pa dallim etnie, që jetojnë atje.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, situatën e sigurisë në Kosovë ka vlerësuar të qetë , me përjashtim të veriut të vendit, ku situata mbetet e tensionuar në planin politik dhe të sigurisë. Ai ka pohuar se, me gjithë veprimet e kriminelëve dhe strukturave paralele serbe, situata po mbahet nën kontroll nga forcat e sigurisë në Kosovë (Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i). Përgjegjës të drejtpërdrejtë të gjendjes në veri të Kosovës, Rexhepi i ka quajtur institucionet shtetërore të Serbisë, të kapluara nga ethet elektorale. Ai në vazhdim ka shkoqitur gjithë pasqyrën e krimit të kryer ndaj familjes Haradinaj dhe konstatimet e ekspertëve të policisë së Kosovës për krimin e kryer: vrasjen kryefamiljari, Selverit, 38 vjeçar dhe plagosjen e fëmijëve të tij, nga shpërthimi me 500 gram eksploziv. Ai ka folur edhe për vendosjen e pikës statike (kontejnerit) të Policisë së Kosovës, në lagjen "Tre rrokaqiejt", e cila gjithashtu është demoluar nga rreth 200 protestues serbë, si dhe për tërheqjen e përkohshme të patrullës në këtë lagje. Rexhepi ka theksuar se Policia ka dokumentacion të mjaftueshëm për kryerësit e këtij akti.

"Policia e Kosovës ka kapacitete dhe e ka autoritetin për ta siguruar jetën e qytetarëve në veri", i ka garantuar ministri i Brendshëm deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ai u shpreh se qeveria dhe ministria, të cilën e udhëheq, parimisht parapëlqen koordinimin me EULEX-in dhe KFOR-in për të vënë rend dhe ligj në pjesën veriore të vendit, por nëse kjo nuk bëhet nivelin e duhur,ka tërhequr vëmendjen ai, atëherë do të ndërmerren e nevojshme legale për ta siguruar jetën dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve, por edhe për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe, nëse tentohet të mbahen në Kosovë.

"LDK-ja po i ndjek me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet në veri të vendit", ka thënë shefi i këtij grupi parlamentar, Ismet Beqiri. Ai ka thënë se gjendja në veri jo që është stabilizuar, siç ka premtuar Qeveria tash e shtatë vjet, por ajo sa vjen e përkeqësohet. "Qeveria i ka të përcaktuara obligimet e saj, por po i mungojnë rezultatet dhe vullneti për t'i përmbushur ato", ka theksuar. Beqiri, i cili është shprehur edhe kundër bisedimeve më Serbinë, në mënyrën si janë zhvilluar ato. "Banorët e veriut kanë nevojë për siguri, kanë nevojë për dorën e shtetit", ka përfunduar ai.

" Në kohën kur strukturat ilegale serbe vritnin shqiptarë dhe i dëbonin nga pronat e tyre, kryeministri i Kosovës, vazhdonte ligjëratat e tij në Amerikë, pa vrarë mendjen se ç'po ndodhte në vend", ka thënë kryetari i Grupit Parlamentar Vetëvendosje, Visar Ymeri, i cili e ka ironizuar mbajtjen e vonuar të kësaj seance, e cila ka mundur të thirrej me kohë nga vetë kryeministri. Ai tërheqjen hap pas hapi të Qeverisë nga veriu e ka quajtur si të menduar , duke theksuar se të ashtuquajturat bisedimet me Serbinë vetëm sa i kanë trimëruar strukturat serbe në veri. Prandaj, ka kërkuar ai: duhet të ndërpriten këto bisedime, duhet të hetohen dhe të ndërpriten burimet financiare të këtyre strukturave. "Paqe do të ketë vetëm me vendosjen e reciprocitetit të plotë të Kosovës dhe Shqipërisë me Serbinë, ka thënë Ymeri.

Kryetar i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, ka pohuar se probleme nuk ka vetën në veri , por në gjithë Kosovën, duke pohuar se kjo qeveri ka dështuar në çdo aspekt të veprimit të saj. Duke konstatuar se gjendja është më e keqe se para katër vjetësh, se strukturat paralele janë më të forta se kurrë dhe se në Mitrovicë ka më pak shqiptarë se më parë, ai ka tërhequr vëmendjen se Kosova po rrezikon ta humbas investimin njëqindvjeçar për pavarësi, prandaj ka kërkuar dorëheqjen e Qeverisë.

Shefja e Grupit Parlamentar të KKR-së, Myzejene Selmani, ka kërkuar veprim të përbashkët i Qeverisë , BE-së ,SHBA-ve, EULEX-it dhe KFOR-it që ta shtrijnë veprimin e tyre në veri të vendit, për sigurinë e qytetarëve dhe për zbardhen e krimeve dhe të aktiviteve të tjera të paligjshme. Ajo tërhoqi vëmendjen se nëse luajnë kufijtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do t'i kushtojë shtrenjtë krejt Ballkanit.

Duke folur në emër të Grupit Parlamentar të SLS-së, nënkryetari i Kuvendit, Petar Miletiq, ka shfaqur brengosjen e tij për mënyrën se si po bisedohet për veriun dhe për gjuhën e përdorur që, siç shprehur ai, ka për qëllim fyerjen e qytetarëve të një nacionaliteti që jeton në Kosovës dhe përçimin me mesazheve politike dhe patriotike . "Problemi i sigurisë në veri është vetëm reflektim i problemit të pazgjidhur politik atje", ka pohuar ai.

Albert Kinolli, shef i Grupit Parlamentar 6+, ka shprehur brengosjen e tij për faktin që përkeqësimi i gjendjes në veri nuk po u bën shumë përshtypje faktorëve ndërkombëtarë që kanë marrë përgjegjësi për sigurinë në Kosovë dhe sundimin e rendit dhe të ligjit. Ai i ka lutur përfaqësuesit e këtyre fasktorëve që të mos provokohet durimi i qytetarëve të Kosovës.

Në emër të Qeverisë së Kosovës, seancës i është drejtuar zv.kryeministri, Hajredin Kuçi, i cili është përqendruar veprimet që i ka marrë dhe do t'i marrë ekzekutimi i vendit për stabilizimin e gjendjes në veri, për shtimin e besimit të qytetarëve tek institucionet e Kosovës, për qartësimin e qytetarëve për perspektivën e tyre dhe për statusin shtetëror të Kosovës. Ai ka theksuar domosdoshmërinë e depatronizimit e qytetarëve serbë të veriut të vendit nga një dorë kriminelësh që u imponohen, por ka theksuar gjithashtu se nuk duhen frikësuar qytetarët atje se mund të ndërmerren veprime të dhunshme."Veprimet legale që do t'i ndërmarrim duhet të jenë të pranueshme nga qytetarët serbë", ka theksuar Kuçi, duke i ftuar EULEX-in dhe KFOR-in që të jenë më aktiv në veri. Duke pasur parasysh kryesit e veprave kriminale në veri, zv,kryeministri i garantuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës se drejtësia mund të vonohet por se ajo një ditë do të veprojë.

Nga ana qeveritarëve në debat kanë marrë pjesë edhe ministrat: Enver Hoxhaj, Agim Çeku, Memli Krasniqi dhe Envder Hamza, të cilët kanë shpalosur aktivitetet e Qeverisë për përmirësimin e gjendjes në veri të Kosovës dhe për veprimet e tjera që duhen ndërmarrë në funksion të stabilitetit, të sigurisë dhe të mirëqenies së qytetarëve.

Deputetët e shumtë, nga radhët e të gjitha grupeve parlamentare, të cilët kanë folur në seancë, janë pajtuar që gjendjen e rëndë të sigurisë në veri të vendit, por janë dalluar në qëndrimet e tyre për shkaqet dhe shkaktarët e kësaj gjendje. Derisa deputetët e opozitës (an-bllok) kanë mbajtur qëndrim se Qeveria e Kosovës jo vetëm ka dështuar të siguroj ambient të sigurt në veri dhe perspektivë zhvillimi për qytetarët e atjeshëm, ata kanë pohuar se asaj i mungon dija, vullneti dhe përkushtimi për ta bërë këtë, deputetët nga koalicioni qeverisës kanë theksuar se gjendja në veri është trashëguar që nga paslufta dhe se për këtë janë përgjegjëse të gjitha qeveritë e shkuara, gjithë klasa politike e Kosovës, si dhe faktorët ndërkombëtarë në Kosovë që kanë marrë përgjegjësi për sigurinë dhe sundimin e rendit dhe të ligjit.

Gati në përfundim të debatit fjalën e ka marrë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili i ka siguruar deputetët dhe qytetarët e Kosovës se me gjithë problemet në veri, pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të garantuar. "Qytetarët e Kosovës dhe të gjithë Ballkanit kanë përjetuar mjaft dhunë dhe trauma, prandaj detyrë e liderëve të përngjeshëm është që t'i përmbyllin dhe jo t'i ringjallin ato", ka theksuar ai. "Vendosja e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës nuk nënkupton pushtim të tyre nga shqiptarët as asimilim , por nënkupton integrim dhe jetë më të mirë për qytetarët", është shprehur kryeministri. Kidnapimin, ndërkaq, të dy policëve të Kosovës në territorin e Kosovës e ka quajtur akt të dënueshëm nga qytetarët e Kosovës dhe nga opinioni botëror. Cenimi, qoftë edhe i një centimetri katror të Kosovës ka merituar përgjigje të meritueshme ndaj Xhandarmerisë serbe, është shprehur i prerë Thaçi. Ai ndërkaq i ka akuzuar deputetët nga radhët e opozitës për deklarata nxitëse, duke akuzuar për krim një komunitet të tillë, siç po veprohet ngjashëm në Maqedoni kundër shqiptarëve pas vrasjes së pesë qytetarëve maqedonas. Kritikat e opozitës ndaj qeverisë, i ka vlerësuar, ndërkaq, zhurmë elektorale.

 

 

 

 

 

 

Nga punimet e mbledhjes plenare të KuvenditNga punimet e mbledhjes plenare të KuvenditNga punimet e mbledhjes plenare të KuvenditNga punimet e mbledhjes plenare të Kuvendit