Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion

, 23.04.2012




Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Arben Gashi, u shqyrtua dhe u përkrah propozimi i Gjykatës Supreme, për riemërimin e anëtarit në komisionin për kërkesa pronësore të Kosovës. Po ashtu, anëtarët e komisionit shqyrtuan edhe përfundimin e Kryesisë, për emërimin e anëtarit të bordit të Agjencisë Kosovare të Pronës. Me këtë rast, Kryesia e Kuvendit, ka kërkuar nga komisioni që të rishqyrtojë rekomandimin lidhur me propozim- vendimin e Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarit të bordit, (për kandidatin Ismail Osdautaj), me vërejtjet e dhëna për kriterin e moshës dhe Kuvendit t'ia paraqesë raportin me rekomandime. Komisioni vlerësoi se kjo çështje është brenda kornizave ligjore dhe nuk bie ndesh me asnjë ligj tjetër, andaj kjo çështje procedohet në mbledhjen e Kuvendit.


Anëtarët e komisionit shqyrtuan dhe përkrahën raportin me amendamente të komisionit funksional në Projektligjin nr. 04/-106 për teatrot. Ndërsa, gjatë shqyrtimit të raportit, me amendamente të komisionit funksional në Projektligjin nr. 04/L-96 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 2003/15 për skemën e ndihmës sociale në Kosovë, anëtarët e komisionit kërkuan nga komisioni përkatës rishqyrtimin e amendamentit 5, meqë u vlerësuan se ky amendament është në kundërshtim me procedurat e Rregullores së Kuvendit.


Më tej, anëtarët e komisionit shqyrtuan dhe përkrahën edhe raportin me amendamente të komisionit funksional në Projektligjin nr. 04/L-92 për personat e verbër dhe personat pjesërisht të verbër, me disa vërejtje për komisionin funksional.


Ndërsa, shqyrtimi i raportit vjetor të Agjencisë Kosovare të pronës, për vitin 2011, është shtyrë për mbledhjen e radhës së komisionit.

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion