Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së
, 04.05.2012
Shqyrtimi i Raportit të Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi, lidhur me adresimin e rekomandimeve të komisionit për situatën e sigurisë në pjesën veriore të vendit, ishte temë diskutimi e mbledhjes së sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit Ahmet Isufi.
Me këtë rast Isufi tha se bazuar në këtë raport MPB-ja dhe Policia e Kosovës kanë adresuar rekomandimet e komisionit për ndërmarrjen e masave konkrete, në drejtim të vendosjes së rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit në tri komunat e veriut të vendit.
Raporti në përgjithësi e konfirmon situatën shumë të tensionuar në tri komunat e veriut. Theksohet se MPB-ja dhe PK-ja kanë hartuar plane operative të cilat paraqiten në raport dhe ka ndërmarrë disa hapa për ngritjen e nivelit të sigurisë në pjesën veriore të vendit, në veçanti në zonat e banuara me popullsi të përzier, duke rritur kështu numrin e patrullimeve dhe duke shtuar numrin e pjesëtarëve të policisë në stacionin policor të Mitrovicës.
Njësitet speciale operative të rajonit të Mitrovicës janë në gjendje gatishmërie me qëllim të reagimit sipas nevojës, tha Isufi.
Sa i përket ngritjes së këshillave komunale për siguri në tri komunat veriore, deri më tani nuk është bërë asgjë dhe bashkëpunimi i Drejtorisë rajonale të policisë së Mitrovicës me komunat në veri, sipas këtij raporti , pothuajse nuk ekziston fare.
Ndër çështjet më shqetësuese në këtë raport, Isufi tha se mbetet mospërmbushja e detyrave për ofrimin e sigurisë për qytetarët nga ana e policisë në veri të Mitrovicës, Zveqan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Sa i përket këtij problemi, sipas këtij raporti PK-ja ka pasur mundësi vetëm ta intensifikojë bashkëpunimin me EULEX-in dhe KFOR-in, duke kërkuar nga ata që të shtojnë numrin e patrullimeve . Me këtë rast Isufi tha se atje ka angazhim më shumë të KFOR-it EULEX-it, se sa të institucioneve të vendit, siç ka qenë kërkesë e komisionit parlamentar për siguri.
PK-ja ka përgatitur urdhrin operativ me të cilin ka paraparë masa të nevojshme për parandalimin e organizimit të zgjedhjeve ilegale serbe në Kosovë. Ndërsa, sa i përket neutralizimit të strukturave kriminale dhe ilegale, raporti përmban informacione për arrestimin e një grupi, pjesëtarë të MUP-it serb në Partesh, si dhe arrestimin e të ashtuquajturit shef i qarkut të Kosovës. Të gjithë këta persona janë arrestuar në pjesën jugore të Kosovës dhe të gjithë janë liruar nga gjykata përkatëse duke proceduar me procedurë të rregullt. Në këtë pikë u paraqitën vërejtje dhe shqetësime nga ana e anëtarëve të Komisionit, duke theksuar se lirohen ata të cilët konsiderohen se kanë kryer vepra kriminale dhe veprojnë duke shkelur rendin dhe ligjin në territorin e Kosovës.
Kryetari i Komisionit tha se në bazë të informacioneve që përmban ky raport, sa i përket sigurisë në vend, institucionet e Kosovës, në veçanti MPB-ja dhe PK-ja nuk janë në gjendje të përmbushin obligimet kushtetuese dhe ligjore. Kjo fushë, shtoi Isufi, mbulohet tërësisht nga EULEX-i dhe KFOR-i.
Gjatë këtij diskutimi u tha se shumica e pjesëtarëve serbë të PK-së nuk përmbushin obligimet dhe detyrat ligjore dhe nuk janë nën kontroll të plotë të zinxhirit komandues të PK-së, edhe pse ata paguhen nga buxheti i Kosovës.
Sa i përket neutralizimit të strukturave kriminale ilegale të sigurisë në veri të vendit , u theksua se raporti nuk ofron asnjë informacion për ndonjë hap konkret të ndërmarrë nga ana e PK-së në këtë drejtim. Më tej u theksua se sipas raportit MPB-ja dhe PK-ja vetëm kanë hartuar plane operative të ndryshme për shtrirjen e rendit kushtetues, sundimit të ligjit në atë pjesë , por mbetet të shihet implementimi i tyre.
Disa nga anëtarët e Komisionit gjatë diskutimit të tyre theksuan se Qeveria e Kosovës angazhohet për përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore. Ndërsa, Rexhep Selimi , nënkryetar i Komisionit, tha mes tjerash se raporti konfirmon gjendjen e rëndë në komunat veriore të Kosovës, dhe se ka pasaktësi në të dhënat tjera.
Krejtësisht në fund, pas shqyrtimit të këtij raporti, anëtarët e komisionit parlamentar për siguri, konstatuan se raporti pasqyron gjendjen reale në këtë pjesë të vendit, e cila vazhdon të jetë e rëndë dhe me tendencë të keqësimit të mëtejmë të situatës, sidomos në kohën kur më 6 maj pritet të organizohen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare serbe edhe në pjesën veriore të Kosovës.
Komisioni mbështeti masat të cilat janë ndërmarrë nga institucionet e Kosovës, përgjegjëse për ruajtjen e rendit, zbatimit të kushtetushmërisë dhe ligjshmërisë në veri të vendit, por theksoi se duhet të ketë një rritje të gatishmërisë për tejkalimin e kësaj gjendjeje.
Më tej Komisioni shqyrtoi dhe përkrahu për procedurë të mëtejme, me disa vërejtje dhe rekomandime, Raportin e punës së Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për vitin 2011.