Lajmet e fundit

Nga mbledhje e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi

, 04.05.2009




Komisioni Parlamentar për Legjislacion dhe Gjyqësi në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Bahri Hyseni, kryetar i komisionit, shqyrtoi Projektligjin për menaxhimin e pasurisë se sekuestruar apo konfiskuar, i miratuar kohë më parë në parim në Kuvendin e Kosovës.

Megjithëse projektligji ka vetëm 13 nene, u ka marrë kohë të madhe anëtarëve të komisionit për amendamentim, për shkak mosprecizimit të normave, sidomos për sa i përket themelimit të Agjencisë dhe në veçanti të strukturës së saj, që nuk është përfshirë në projektligj. Ka pasur madje propozime që për çështjen e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar të mos krijohet fare agjenci, por të krijohet departament i veçantë pranë Qeverisë ose Ministrisë së Drejtësisë. Mu për këtë është vendosur që të ftohet në Komision ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, për të dhënë sqarime rreth këtij projektligji, i cili është hartuar nga ministria të cilën e udhëheq.

Anëtarët e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi kanë vendosur njëzëri që të ndryshohet emri i projektligjit në “Projektligji për administrimin e pasurisë se sekuestruar ose të konfiskuar”, si dhe i kanë bërë disa ndryshime dhe plotësime të tij në formë amendamentesh, të cilat do të nxirren për votim gjatë shqyrtimit të dytë të këtij projektligji.
Nga mbledhje e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi