Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi u prit nga ministri i Mbrojtjes, Tolgfors

, 07.05.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga delegacioni parlamentar, të cilin e udhëheq, është pritur sot edhe nga ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Sten Tolgfors, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve në lëmin e sigurisë, në mënyrë të veçantë për trupat suedeze në Kosovë që veprojnë në kuadër të KFOR-it.

“Kam qenë vjet në Kosovë për vizitë trupave tona atje që veprojnë në kuadër të KFOR-it dhe jemi shumë krenarë për burrat dhe gratë suedeze që shërbejnë në Kosovë”, është shprehur ministri suedez i Mbrojtjes, Sten Tolgfors, i cili ka premtuar se me mbështetjen e parlamentit të këtij vendi Kontingjenti ushtarak i Suedisë do të vazhdojë të shërbejë në Kosovë. Ai ka theksuar se është i njoftuar me problemet në lëmin e sigurisë që ka Kosova në pjesën e saj veriore dhe se vendi i tij e mbështet politikën e ekuilibruar të institucioneve të Kosovës.

“Kosova duhet të jetë përgjegjëse për krijimin e kapaciteteve të saj të sigurisë dhe duke bashkëpunuar me BE-në”, ka thënë Tolgfors, i cili ka theksuar ndihmën që vendi i tij jep për Ministrinë e FSK-së.

Ai në vazhdim ka shprehur kënaqësinë që Kosova po i ngrit institucionet demokratiket vendit, por se nevojitet angazhim shtesë për ta luftuar krimin dhe për ta avancuar arsimimin e rinisë, si dhe për të krijuar kushte më të mira jete për të rinjtë, ka theksuar Tolgfors.

“Qytetarët e Kosovës kanë respekt të madh për trupat ndërkombëtare paqeruajtëse në Kosovë që veprojnë në kuadër të KFOR-it dhe që i shërbejnë paqes, stabilitetit dhe sigurisë, jo vetëm të Kosovës, por edhe të gjithë rajonit”, ka thënë kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili e ka njoftuar ministrin suedez të Mbrojtjes me strukturën e FSK-së, Policinë e Kosovës, Agjencinë e Inteligjencës dhe Këshillin e Sigurisë së vendit.

Krasniqi ka folur edhe për miratimin nga Kuvendi të legjislacionit për çështjet e sigurisë, problemet në veriun e Kosovës, si pasojë të involvimeve të Beogradit, por edhe për vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për ndërtimin e shoqërisë shumetnike dhe integrimin e komuniteteve pakicë.
Kryeparlamentari Krasniqi u prit nga ministri i Mbrojtjes, Tolgfors