Lajmet e fundit

Nga takimet e delegacionit parlamentar të Kosovës në Suedi

, 08.05.2009




Gjatë vizitës treditore në Suedi, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga anëtarët e delegacionit, të cilin e udhëheq (anëtari i Kryesisë, Nexhat Daci, deputetet Safete Hadërgjonaj dhe Suzan Novobërdaliu, shefi i kabinetit të kryeparlamentarit Mehmet Hajrizi dhe këshilltari për protokoll, Skënder Reçica), është pritur në takime të veçanta në Stokholm nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Suedisë, Göran Lennmarker dhe me kryesuesin e Delegacionit të Suedisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Göran Lindblad.

Kryeparlamentari Krasniqi në të dy takimet ka folur për punën e institucioneve të vendit, me theks të veçantë të Kuvendit të Kosovës për konsolidimin e shtetit të pavarur, zhvillimin ekonomik të vendit e të demokracisë, si dhe për angazhimet e përhershme lidhur me integrimin e komuniteteve pakicë në Kosovë, sidomos të serbëve.

Nikoqirët kanë shprehur konsideratat e tyre për zhvillimet pozitive në Kosovë. Ata kanë shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit, sidomos atij ndërparlamentar. Janë shprehur, ndërkaq, edhe në favor të mbështetjes së Kosovës në planin e integrimeve evropiane.

Gjatë qëndrimit të delegacionit parlamentar të Kosovës në Suedi, në Parlamentin e këtij vendi skandinav është krijuar Shoqata e miqësisë Suedi-Kosovë, e cila pritet të përshpejtojë zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Kryeparlamentari Krasniqi ka pohuar se shumë shpejtë edhe në Kuvendin e Kosovës do të krijohet Grupi i miqësisë Kosovë-Suedi.

Kuvendarët e Kosovës sonte në Stokholm do të kenë një takim me bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe punojnë në Suedi.