Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 08.05.2009




Raporti i Radio Televizionit të Kosovës për vitin 2008 nuk plotëson kriteret e raportimit sipas dispozitave ligjore. Pasqyrat financiare të këtij Raporti nuk përfillin standardet përkatëse të raportimit. Këto ishin vërejtjet kryesore të Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Gani Koci, kryetar i Komisionit, me rastin e shqyrtimit të këtij raporti. Pas këtyre dhe vërejtjeve të tjera Komisioni vlerësoi se ky Raport është i papranueshëm në aspektin financiar. Disa deputetë shtruan kërkesën që për të gjitha këto parregullsi të ngrihej një komision hetimor parlamentar, por për këtë u tha se mund të marrë vendim Kuvendi i Kosovës. Megjithëse ishin ftuar përfaqësuesit e RTK-së për ta prezantuar këtë raport para Komisionit, ata nuk iu përgjigjën ftesës, përkundër obligimit ligjor që kanë.

Mungesa e përfaqësuesve të RTK-së nga komisioni vlerësohej si papërgjegjësi dhe ikje nga llogaridhënia, si dhe injorim i Komisionit.

Në këtë mbledhje pastaj u shqyrtua kërkesa e Komisionit të Pavarur për Media dt. 12.03.2009, lidhur me rishikimin funksional dhe nivelizimin e pagave brenda KPM-së. Gjatë diskutimit u tha se kjo kërkesë është brenda suazave të ristrukurimit të KPM-së, përkatësisht të skemës së re organizative dhe se nuk sjell implikime buxhetore shtesë, ndaj edhe u mbështet nga të pranishmit.

Me tone inkurajuese u shqyrtua dhe vlerësua Raporti i performancës së Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2008. Në këtë debat ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e kësaj zyre, të kryesuar nga Llage Ollafson. U theksua se Raporti është mjaft i mirë, se ai përmban vizion të qartë. Komisioni i dha përkrahje të plotë mbarë punës së kësaj zyre. Duke folur për punën e saj , Llage Ollafson theksoi se është i përkushtuar që të arrihet një shkallë e lartë e funksionimit, të mënyrave të reja të organizimit dhe profesionalizmi, drejt ndërtimit të një zyre kombëtare funksionale të auditivit, e cila do të jetë anëtare e institucioneve përkatëse ndërkombëtare.

Komisioni në këtë mbledhje i dha mbështetje vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 10/57, dt. 13.03.2009 lidhur me realizimin e projektit multietnik për komunën e Novobërdës.
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa