Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi u kthye nga vizita në Suedi

, 09.05.2009




Delegacioni parlamentar i Kosovës i kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, është kthyer nga vizita në Suedi, gjatë së cilës ka pasur takime të frytshme me homologun suedez, Per Westerberg, ministrin e Mbrojtjes i Suedisë, Sten Tolgfors, me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Suedisë, Göran Lennmarker, si dhe me kryesuesin e Delegacionit të Suedisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Göran Lindblad.

“Për vizitë zyrtare në Suedi ishim me ftesë të kryetarit të Parlamentit të Suedisë, Per Westerberg” u ka deklaruar gazetarëve kreu i Kuvendit të Kosovës, në Aeroportin e Prishtinës, në të kthyer nga Stokholmi. Ai ka pohuar se qëllimi i vizitës ishte thellimi i bashkëpunimit ndërparlamentar ndërmjet dy vendeve dhe për t’i njoftuar përfaqësuesit e institucioneve të Suedisë për zhvillimet në Kosovë, për të arriturat e vendit tonë dhe për konsolidimin e institucioneve të Kosovës.

“Mund të them se kemi vendosur marrëdhënie bilaterale me Parlamentin e Suedisë, i cili ka traditë më shumëse dyqindvjeçare, vend ky që nga një korriku i këtij viti do ta kryesojë bashkimin Evropian”, ka theksuar Krasniqi.

“Ne të gjitha takimet kemi kërkuar që Suedia ta mbështesë Kosovën në rrugën e integrimeve evropian dhe kemi marrë premtime pozitive në këtë drejtim”, ka pohuar kreu i legjislativit të vendit. Ai ka pohuar gjithashtu se ka marrë premtime se Suedia do të angazhohet për pjesëmarrjen e Kosovës në mekanizmat evropianë, për të cilat kërkohet konsensus, si Këshilli i Evropës e të tjerë.

Në pyetjen e gazetarëve se a kanë qenë të vlefshme tri vizitat e njëpasnjëshme në Slloven, Kroaci dhe në Suedi, kryeparlamentari Krasniqi është përgjigjur se është shumë e rëndësishme bashkëpunimi me vende, si Suedia e cila së shpejti do ta kryesojë Be-në, me Slloveninë, e cila ka përvoja të vlefshme të anëtarësimit në mekanizmat evropian dhe me Kroacinë, e cila është në rrugë të mirë për tu anëtarësuar. Ai ka shtuar se në këto vende jetojnë edhe një numër i konsiderueshëm i bashkatdhetarëve tanë, që e shton edhe më nevojën e bashkëpunimit. “Këto vende do ta mbështesin Kosovën për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë edhe OKB-në”, ka theksuar Krasniqi në konferencën e sotme për shtyp.
Kryeparlamentari Krasniqi u kthye nga vizita në Suedi