Lajmet e fundit

Kryeparlamentari, dr. Jakup Krasniqi, priti ambasadorin jorezident të Kanadasë në Kosovë, z. Tom Marr

, 13.05.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot ambasadorin jorezident të Kanadasë në Republikën e Kosovës , z. Tom Marr. Me këtë rast, ambasadori kanadez , z. Tom Marr, pasi u falënderua për pritjen e njoftoi kryeparlamentarin Krasniqi se ai gjendet në Kosovë për t’ ia paraqitur letrat kredenciale presidentit të Kosovës, z. Fatmir Sejdiu.Ai pastaj shprehu urimet e tij për pranimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar, pranim ky që është përkrahur edhe nga Kanadaja. Në vijim ambasadori kanadez u interesua edhe për punët që bëhen në Kuvendin e Kosovës.

Kryeparlamentari Krasniqi ,pasi i shprehu mirënjohje Kanadasë për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe mbështetjen që i dha ajo anëtarësimit të Kosovës në FMN, bëri një ekspoze të thukët lidhur me punët që bëhen në Kuvendin e Kosovës, duke u ndalur sidomos në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, miratimin e Kushtetutës së Kosovës, si dhe miratimin e mbi 100 ligjeve, prej të cilave 52 dalin nga Pakoja e Ahtisaarit. Kreu i legjislativit të vendit foli edhe për objektivat e ardhshëm të Kuvendit, duke u përqendruar edhe në ngritjen e kapaciteteve të Kuvendit të Kosovës.
Kryeparlamentari, dr. Jakup  Krasniqi, priti ambasadorin jorezident të Kanadasë në Kosovë, z. Tom Marr