Lajmet e fundit

Edita Tahiri mori pjesë në Forumin Evropian Wachau

, 18.05.2009




Edita Tahiri, deputete në Kuvendin e Kosovës dhe kryetare e ADK-së, gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Evropian Wachau me ftesën e ministrit të jashtëm të Austrisë, z. Michael Spindelegger, zhvilloi një varg aktivitetesh me përqendrim të veçantë sigurimin e përkrahjes për njohjen e pavarësisë dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës. Në këtë Forum të personaliteteve të larta të Evropës, që i zhvilloi punimet në Krems të Austrisë më 16 dhe 17 maj 2009, në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe kryeministri i Hungarisë, Gordon Bajnai, ish-ministri i jashtëm i Çekisë, Karel Shwarzenberg, ministri i jashtëm i Rumunisë, Cristian Diaconescu, si dhe shumë personalitete tjera të rëndësishme nga mbarë Evropa. Temë qendrore e këtij forumi ishte “ Ndërtimi i Evropës”, ndërsa debati u fokusua sidomos në sfidat aktuale të Evropës së Bashkuar.

Edita Tahiri në fjalën e saj theksoi se sfidat kryesore të Kosovës dhe rajonit në procesin e integrimeve euro-atlantike në dritën e krizës financiare, në të cilën është përfshirë bota, si dhe ftoi Bashkimin e Evropian që ta rrisë mbështetjen për Kosovën në planin politik dhe ekonomik, në mënyrë që procesi i integrimeve të përballohet me efikasitet. Z. Tahiri në veçanti nënvizoi se integrimi sa më i shpejtë i Kosovës dhe i gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian i jep mundësi zgjidhjes së çështjeve të mbetura, si dhe është një kontribut esencial për një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në këtë pjesë të Evropës. Duke folur për atë se si po reflektohet kriza financiare në Kosovë, zonja Tahiri në mënyrë metaforike tha se “është një situatë kur një pacient duke u shëruar nga një sëmundje e godet një sëmundje tjetër”, dhe në kontekst të përballjes me këtë krizë ajo theksoi se politikat evropiane për investimet ekonomike në Kosovë, si dhe politika e “dyerve të hapura” për integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit perëndimor në BE janë një qasje adekuate që duhet ndjekur. Zonja Tahiri shfrytëzoi këtë rast për të kërkuar njohjen e pavarësisë nga vendet evropiane që nuk e kanë bërë këtë, si dhe shprehu optimizmin se Traktati i Lisabonës do të miratohet dhe se BE do ketë mundësi të adresojë me më shumë efektivitet sfidat e saja.

Në takimin e veçantë të zhvilluar me Ministrinë e jashtëm të Austrisë, z. Michael Spindelegger, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Edita Tahiri falënderoi qeverinë austriake për të gjithë atë që që ka bërë për Kosovën në të kaluarën. Me këtë rast ajo kërkoi vazhdimin e angazhimit për të ndihmuar zhvillimin e shtetit të Kosovës, në mënyrë të veçantë përmes investimeve ekonomike dhe rritjes së njohjeve. Ministri Spindelegger, duke shprehur kënaqësinë për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim, premtoi se qeveria austriake do të vazhdoj të jetë shumë e përkushtuar për Kosovën dhe rrugën e saj drejtë integrimeve evropiane.

Një takim tjetër i rëndësishëm i z. Tahiri ishte ai me ministrin e jashtëm të Rumanisë, Cristian Diaconescu, me të cilin u bisedua për pozicionin e Rumanisë në raport me pavarësinë e Kosovës. Zonja Tahiri paraqiti të gjitha argumentet valide se përse Rumunia nuk duhet të hezitojë ta bëjë njohjen e Kosovës, duke ia përkujtuar Ministrit Diaconescu se në vitet 1998 Rumunia ishte ndër të parat që njohu të drejtën për vetëvendosje të popullit të Kosovës. Z. Diaconescu u shpreh se Rumunia nuk e ka ndryshuar ende pozicionin ndaj çështjes së Kosovës, por është në shqyrtime të vazhdueshme për këtë çështje,ndërsa mirëpriti idenë që një delegacion i Kuvendit të Kosovës ta vizitojë Rumaninë.

Deputetja Edita Tahiri pati edhe shumë takime të tjera me politikanë nga mbarë Evropa.
Edita Tahiri mori  pjesë  në Forumin Evropian Wachau