Lajmet e fundit

Kryeparlamentari, dr. Jakup Krasniqi, priti ambasadorin turk Unler

, 18.05.2009




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krsniqi, kishte sot një takim me ambasadorin e Turqisë në Prishtinë, Husrev Unler. Temë e këtij takimi ishte thellimi i mëtejmë i bashkëpunimit ndërmjet Turqisë dhe Kosovës. Ambasadori i Turqisë,Husrev Unler, e njoftoi kryeparlamentarin Krasniqi lidhur me interesimin e shtuar të Turqisë për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Kosovës, e në këtë kuadër edhe të shtimit të interesimit të biznesit turk për të investuar në Kosovë. Në vijim ambasadori turk foli edhe për projektet arsimore e shëndetësore të Turqisë që pritet të realizohen në Kosovë. Në këtë takim u bisedua edhe për vizitën e kryeparlamentarit të Turqisë, Köksal Toptan, e cila do të zhvillohet në fillim të korrikut të këtij viti dhe do t’ i kontribuojë edhe më forcimit të marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Kosovës.

Kryeparlamentari Krasniqi pasi e falënderoi ambasadorin për këtë vizitë shprehu mirënjohje për kontributin që po jep Turqia në thellimin e marrëdhënieve të dyanshme, të cilat po shtrihen edhe në lëmenjtë ekonomikë,arsimorë e shëndetësorë. Kur është fjala për çështjen arsimore u tha se kolegji turk “Mehmet Akif” në Prishtinë po jep një kontribut të rëndësishëm në lëmine bashkëpunimit arsimor. Kryeparlamentari Krasniqi theksoi se Turqia dhe Kosova kanë synime të përbashkëta integruese në Bashkimin Evropian, duke shtuar se pas pavarësisë janë hapur shtigjet për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve. Kreu i legjislativit të Kosovës tha se vizita e kryeparlamentarit turk , Toptan , mirëpritet në Kosovë.