Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare

, 15.05.2009




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, zgjodhi gjashtë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Kryeparlamentari Krasniqi, fillimisht, i ka njoftuar deputetët për vendimin e Kryesisë që votimi të jetë elektronik, si dhe i ka ftuar shefat e grupeve parlamentare që t’i paraqesin listat e tyre me nga katër kandidatë, emrat e rekomanduar nga Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Pas propozimeve filloi procedimi i votimit.

Gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë zgjedhur:

Enver Hasani,
Gjyljeta Mushkolaj,
Kadri Kryeziu,
Iliriana Islami,
Ivan Çukaloviq dhe
Altay Suroy

Katër kandidatët e parë ishin propozuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së, të mbështetur nga Grupi Parlamentar i LDK-së dhe ai i AAK-së, si dhe ata të SLS-së dhe të Grupit Parlamentar 7+(të cilët kishin edhe listën e kandidatëve të tyre nga radhët e komuniteteve pakicë), si dhe Grupi Parlamentar “Zajedno”, shefi i të cilit ka deklaruar se nuk ndjehet i lumtur, por se do të votojë “për”, në mënyrë që të mos pengohet zgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Për shkak se kandidatët nga kjo listë (që në raundin e parë të votimin) i kanë fituar votat e nevojshme për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese (mbi dy të tretat e deputetëve, të pranishëm në seancë), nuk është parë e nevojshme të hidhen në votim listat e grupeve të tjera parlamentare.

Fare në fillim të seancës është votuar për kandidatët e minoriteteve. Pasi që kandidatët: Ivan Çukaloviq dhe Altay Suroy kanë fituar (që në raundin e parë) dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e komuniteteve pakicë, si dhe në vazhdim kanë marrë edhe votat e nevojshme të të gjithë deputetëve të pranishëm në seancë plenar, janë zgjedhur gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Ka mbetur që emrat e këtyre gjashtë gjyqtarëve të zgjedhur për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të dërgohen tek presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, për dekretim dhe dhënie betimi.
Nga punimet e seancës plenare