Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
, 19.05.2009
Pikat e mbetura nga seanca javës së shqyrtohen të premten, më 22 maj, me dy pika shtresë të rendit të ditës: shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi vlerën e shtuar dhe krijimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e Bordit të RTK-së. Seanca e radhës, ndërkaq do të mbahet më 28 maj. Kështu ka vendosur Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, e në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare.
Në seancën e fundit të majit do të votohet për Avokatin e Popullit, sipas propozimit të panelit përzgjedhës për këtë pot të autoritetit moral.
Në këtë seancë, pos përgjigjeve të kabinetit qeveritar në pyetjet parlamentare, do të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për Shërbimi civil të Republikës së Kosovës, Projektligji për pagat e Shërbimit civil, Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Numër 2003/15 për skemën sociale në Kosovë. Do të shqyrtohet, ndërkaq edhe Raporti i Rregullatorit për Ujërat e Zeza dhe Mbeturinat.
Pasi e ka shqyrtuar Rekomandimin e Komisionit për Projekt-Rregulloren e Kuvendit dhe Raportin financiar të Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2008, Kryesia ka vendosur që këto të vihen në rend dite të seancës së parë të muajit qershor.
Lidhur me kërkesën e Grupit Parlamentar të LDD-ës për të debatuar për gjendjen tregtare në vend dhe raportet tregtare të Kosovës me shtetet tjera, Kryesia ka vlerësuar se paraprakisht nevojitet një informatë nga Qeveria, si bazë për debat parlamentar. Është vlerësuar se nevojitet mendimi i Qeverisë së Kosovës edhe për sa i përket propozimit të deputetit Emrush Xhemajli (i mbështetur nga disa deputetë), për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Numër 02/L-2 për statusin dhe të drejtat e familjeve dhe dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe pjesëtarëve të UÇK-ës dhe familjeve të viktimave civile të luftës.
Kryesia është pajtuar që të njoftohet seanca e Kuvendit me ndryshimet në udhëheqjen e Grupit Parlamentar 7+ ( anëtare e Kryesisë nga ky grup do të jetë Myfera Shinik, kurse anëtari i deritashëm i Kryesisë, Xhezair Murat bëhet shef i grupit parlamentar).
Kryesia, po në këtë mbledhje e ka miratuar Raportin e shpenzimeve të buxhetit të Kuvendit për vitin 2008.