Lajmet e fundit

Nga tryeza e rrumbullakët e grave deputete për Ligjin për zgjedhjet

, 25.05.2009




Grupi joformal i grave deputete ka mbajtur sot një tryezë të rrumbullakët lidhur me Ligjin për zgjedhjet. Në këtë tryezë, të cilin e ka drejtuar deputetja Flora Brovina, kryetare e grupit, pos deputeteve të Kuvendit të Kosovës, kanë marrë pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare (Buja dhe Makolli), përfaqësues të zyrave të huaja në Prishtinë dhe të mekanizmave mbështetës të Kuvendit të Kosovës.

Gratë deputete në këtë debat kanë kërkuar amendamentimin e Ligjit për zgjedhjet në funksion të fuqizimit të gruas në politikë. Ato janë shprehur ta pakënaqura për votimin vetëm të partisë dhe vetëm të një kandidati, sepse vlerësojnë ato, kësisoj margjinalizohet roli i gruas në politikë, kurse favorizohet vetëm një kandidat afër liderit të partisë, i cili zakonisht është mashkull. Ato janë angazhuar që të sigurohet kuota (30 përqindëshi i grave në listat zgjedhore), por edhe për cilësinë e përfaqësimit. Gratë deputete e kanë parë të arsyeshme që të votohen gjashtë emra nga lista zgjedhore e partisë a të koalicionit të dhënë, duke pohuar se ato do të organizojnë debate për këtë çështje edhe nëpër komuna dhe do të lobojnë gjithandej që ligji të amendamentohet.

Në pohimet e ndonjë pjesëmarrësi në takim, sidomos të shefave të grupeve parlamentare, se ligji në fjalë buron nga Pakoja e Ahtisarit dhe se është vështirë që të ndryshohet, ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, duke nënvizuar se flet në cilësinë e deputetes, ka pohuar se ligji është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, sepse thirret në Kushtetutë para se ajo të miratohej. Ajo është shprehur e bindur se ndryshimi i këtij ligji nuk do të cenonte të drejtat e asnjë komuniteti në Kosovës, përkundrazi, ai do ta bënte më të fuqishëm rolin e gruas në përfaqësim dhe në vendimmarrje.
Nga tryeza e rrumbullakët  e grave deputete për Ligjin për zgjedhjet