Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

, 02.06.2009




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka miratuar rendin e punës për tri seancat e ardhshme të Kuvendit.

Të enjten, me 4 qershor, Kuvendi do të votojë për të zgjedhur Avokatin e Popullit. Me datën 12 qershor, ndërkaq, Kuvendi do të shqyrtojë Raportin financiar të Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës për periudhën 1 janar - 31 dhjetor 2008.

Seanca e 11 qershorit do të merret me miratimin e projektligjeve. Pas shterimit të pikës së zakonshme – Pyetje parlamentare- do të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/15 për skemën sociale në Kosovë, Projektligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 02/L-133 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik. Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural.

Në të njëjtën seancë pritet të shqyrtohet Projektrregullorja e Punës së Kuvendit, Rekomandimi i Komisionit për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media dhe i Komisionit për Buxhet e Financa lidhur me Raportin financiar të Radio Televizionit të Kosovës për vitin 2008, Raporti i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, për formimin e Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës, si dhe Rekomandimi i Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport e Telekomunikacion dhe Komisionit për Buxhet e Financa lidhur me Raportin e Autoritetit Rregullator për Telekomunikacion për vitin 2008.

Kryesia në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar edhe disa mocione e kërkesa të grupeve parlamentare, të komisioneve parlamentare dhe të deputetëve të veçantë, si: kërkesën e 87 deputetëve për procedimin dhe miratimin e Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e zëvendësdrejtorit të Sekretarisë Ekzekutive të Agjencisë Kosovare të Pronës, si dhe emërimin e dy anëtarëve të Bordit të kësaj agjencie.

Pasi e ka shqyrtuar Rekomandimin e Komisionit për Buxhet e Financa lidhur me Propozimvendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për periudhën 2010-2012, Rekomandimin e të njëjtit komision lidhur me Raportin vjetor për funksionimin e sistemit të auditimit të brendshëm në sektorin publik në Kosovë, për vitin 2008, Kryesia ka vendosur që këto rekomandime t’i nxjerrë për shqyrtim në njërën nga seancat e ardhshme.

Kryesia, në po këtë mbledhje, e ka miratuar Raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për tremujorin e parë të këtij viti, konform rekomandimeve të Komisionit për Buxhet e Financa.

Anëtarët e Kryesisë, ndërkaq janë njoftuar se deputeti Dragisha Miriq, tash e tutje, nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar “Zajedno”, por se do të veprojë si deputet, duke i përfaqësuar interesat e partisë që i takon. Me këtë largim të deputetit, në fakt, pushon së ekzistuari grupi parlamentar, të cilit i ka takuar.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës