Lajmet e fundit

Kuvendi zgjodhi Avokatin e Popullit

, 04.06.2009




Kuvendi i Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka votuar për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

Para se të fillonte votimi, kryeparlamentari Krasniqi ia ka dhënë fjalën kryetarit të Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi, Bahri Hyseni, për të prezantuar para deputetëve ecurinë e Panelit përzgjedhës, i përbërë nga anëtarë të këtij Komisioni dhe të Komisionit për të Drejtat e Njeriut. Ai procedurën e përzgjedhjes e ka vlerësuar krejtësisht ligjore dhe demokratike, e cila është monitoruar nga mekanizma vendës dhe ndërkombëtar, duke e falënderuar kryesuesin e panelit, deputetin Ibrahim Makolli, për zell dhe përkushtim në përzgjedhjen e kandidatëve, tre prej të cilëve i propozohen për votim Kuvendit të Kosovës, sipas renditjes alfabetike të mbiemrit: Sami Kurteshi, Besnik Osmani dhe Veton Vula.

Me 65 vota për të deputetëve, nga 107 sa ishin të pranishëm në seancë, që në raundin e parë të votimit, Avokat i Popullit u zgjodh kandidati Sami Kurteshi.

Besnik Osmani ka fituar 27 vota, Veton Vula ka fituar 10 vota, kurse pesë vota kanë qenë të pavlefshme.

Avokati i sapozgjedhur i Popullit, Sami Kurteshi, po sot e ka dhënë betimin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Mandati i Avokatit të Popullit zgjatë pesë vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje.
Kuvendi zgjodhi Avokatin e Popullit