Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik për Ligjin për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë

, 04.06.2009




Grupi joformal i deputetëve të rinj, i mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, organizoi një dëgjim publik për Ligjin për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë. Në këtë takim morën pjese rreth 30 përfaqësues të organizatave aktive rinore në Kosovë, përfshirë edhe organizatat e personave me nevoja të veçanta, përfaqësuesit nga komuniteti serb dhe rom, si dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Rinisë dhe të organizatave ndërkombëtare që e mbështesin sektorin e rinisë në Kosovë, siç janë: UNDP, GTZ, UNICEF, Banka Botërore, etj.

Përfaqësuesit e organizatave rinore paraqitën propozimet konkrete rreth amandamentimit të këtij ligji, duke e theksuar rëndësinë që ka ky ligj për rininë dhe nevojën për miratimin sa më të shpejtë të tij, por edhe implementimin sa më efikas. Nga pjesëmarrësit është kërkuar një elaborim rreth pjesës së punës vullnetare në ligj, si dhe edukimit formal. Është kërkuar, ndërkaq, që Ministria në nivel qendror, përkatësisht komunat në nivel lokal, t'i përkrahin më shumë qendrat rinore, si institucione të zhvillimit të aktiviteteve rinore në të gjitha nivelet.

Gjatë dëgjimit publik, është bërë thirrje për vazhdimin e bashkëpunimit në ndërmjet Ministrisë së Rinisë dhe organizatave rinore, si dhe për përkrahje nga Grupi joformal i deputeteve të rinj për të gjithë të rinjtë e Kosovës.

Propozimet, komentet dhe amandamentet konkrete, të dala nga ky dëgjim publik, do t'i dërgohen Komisionit funksional për këtë ligj.
Nga dëgjimi publik për Ligjin për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë