Lajmet e fundit

Komisioni për Punë të Jashtme priti ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në NATO, Artur Kuko

, 05.06.2009




Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës kanë pritur sot ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në NATO, Artur Kuko, me të cilin biseduan për zhvillimet në Kosovës, për punën e legjislativit të vendit dhe për ngritjen e Forcës së Sigurisë në Kosovë.

“Jemi në një fazë intensive të punës për miratimin e ligjeve bazike të vendit”, ka thënë kryetari i Komisionit, Sabri Hamiti, duke i dëshiruar mirëseardhje ambasadorit të Shqipërisë në NATO, Artur Kuko. Hamiti e ka falënderuar ambasadorin për angazhimet e tij, të Qeverisë dhe institucioneve të tjera të Shqipërisë për Kosovën.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në NATO, Artur Kuko, i cili shoqërohej nga ambasadorii i Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka, është shprehur i kënaqur për zhvillimet në Kosovë, për njohjen e Kosovës nga vende të ndryshme të botës dhe sidomos për ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si element i fuqishëm i shtetësisë së vendit.

Duke folur për marrëdhëniet e NATO-s me Kosovën, Kuko ka theksuar dy shtyllat kryesore të këtyre marrëdhënieve: Funksionimin e Aleancës në Kosovë nëpërmjet KFOR-it dhe detyrat që ka marrë NATO-ja për ngritjen e FSK-së. Vlerësimet për të dy këto segmente janë pozitive, ka thënë Kuko. Ai ka konfirmuar se edhe Shqipëria do të mbështesë ngritjen e FSK-së, qoftë nëpërmjet tre ekspertëve të njohur shqiptarë, qoftë nëpërmjet mjeteve modeste financiare për Fondin e Mirëbesimit për ngritjen e kësaj force. Ai është shprehur se i ndjek me vëmendje zhvillimet në Kosovë, sidomos ato në pjesën veriore të vendit. Kuko i ka garantuar anëtarët e Komisionit se zëri i Shqipërisë dëgjohet në Aleancë.

Kryetari i Komisionit, Hamiti, por edhe anëtarët e tjerë: Daci, Avdiu dhe Gjini, kanë shprehur kënaqësinë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke e quajtur këtë sukses të madh jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë shqiptarët.

“Me të gjitha mundësitë që i keni, forcojini institucionet e Kosovës, sepse kështu do ta kemi më të lehtë me miqtë tanë”, i ka porositur Kuko anëtarët e Komisionit për punë të jashtme në përfundim të takimit. Ai u ka bërë të ditur që në një kohë jo të largët do të vizitojë Kosovën bashkë me ambasadorët e Këshillit të NATO-s.
Komisioni për Punë të Jashtme priti ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në NATO, Artur Kuko