Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 09.06.2009




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka shqyrtuar Raportin e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri lidhur me incidentin në dhomën e provave të Policisë së Kosovës të datës 25 prill 2009. Kryesia ka vendosur që ta ftojë ministrin e Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, që për seancën e fundit të muajit qershor të përgatisë për deputetë një informatë për këtë rast.

Kryesia po në këtë mbledhje ka shqyrtuar propozimin për përbërjen dhe rindarjen e kryesimit të komisioneve parlamentare. Duke pasur parasysh se janë duke u krijuar tri komisione të reja parlamentare: Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencionit Kosovar për Inteligjencë dhe Komisioni për Mbikëqyrjen e FSK-së, Kryesia ka vendosur që pos komisioneve kryesore, që do të mbesin me numër të njëjtë anëtarësh, shumica e komisioneve funksionale do të kenë nga nëntë anëtarë. Dy nga komisionet e reja do të udhëhiqen nga opozita, kurse përbërja e re dhe drejtimi i komisioneve parlamentare do të vihet në rend dite të seancës së 12 qershorit.

Duke e shqyrtuar Iniciativën qytetarëve të rrethinës së Hogoshtit për themelimin e Komunës së Hogoshtit, Kryesia i ka rekomanduar Iniciativës së qytetarëve që t’i drejtohen Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Kryesia po në këtë mbledhje është njoftuar me Vendimin e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtarë, Pieter Feith, për emërimin e dy anëtarëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, si dhe për tërheqjen e disa nënshkruesve të kërkesës për debat mbi gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës, duke konstatuar se nënshkrimet e mbetura nuk mjaftojnë që çështja të shtrohet për debat në seancë plenare.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit