Lajmet e fundit

U mbajt simpoziumi “Shën Pali-Apostulli dhe ungjillëzuesi ynë”

, 10.06.2009




Kryetari i Kuvendit të Kosovës,dr. Jakup Krasniqi, mbajti sot një fjalë rasti në simpoziumin “Shën Pali- Apostulli i popujve dhe ungjillëzuesi ynë”, i cili po mbahet nën përkujdesjen e tij, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, organizuar nga Kisha Katolike dhe Universiteti Mbretëror Iliria .Simpoziumi i kushtohet jubileut të madh - 2000 vjetorit të lindjes së Shën Palit.

Në fjalën e tij kryeparlamentari Krasniqi theksoi:

“I nderuar Imzot Gjergji,

Zonja dhe zotërinj,

Me kënaqësi kam ardhur të marr pjesë në këtë simpozium me rastin e 2000 vjetorit të lindjes së Shën Palit, apostullit të popujve dhe ungjillëzuesit të paraardhësve tanë ilirë.

Përkujtojmë sot me nderim misionin e Shën Palit për përhapjen e mirësisë, dashurisë, paqes, tolerancës dhe urtësisë. Veçanërisht e përkujtojmë sepse në rrugëtimin e tij nëpër vise të ndryshme në antikitetit, zgjodhi edhe Ilirinë, zgjodhi paraardhësit tanë duke na bërë kështu pjese të filozofisë së re për një drejtësi e solidaritet njerëzor.

Merita kryesore e Shën Palit është se ai e konsideroi fenë jo si privilegj të njerëzve të ditur, të njerëzve me pozitë të lartë në shoqëri ose si monopol të një populli dhe kohe të veçantë, por si pasuri shpirtërore dhe mundësi për ta përmirësuar dhe për ta zhvilluar botën nëpërmjet besimit dhe të dashurisë, ndihmës dhe solidaritetit për njeri-tjetrin.

Ne me te drejtë mund ta quajmë apostullin Shën Pali, shpallës, dëshmitarë dhe ungjillëzues të paraardhësve tanë. Ky jubile, që përkon me vitin e dytë të Pavarësisë së Kosovës, duhet t’i nxisë mendjet e mbledhura këtu për të na ofruar një pasqyrë komplekse nga pikëpamja historike, arkeologjike, etnologjike dhe biblike me të dhëna të historisë sonë për Shën Palin. Kjo duhet të na vetëdijesojë edhe më tepër për realitetin e sotëm, realitet i cili ka nevojë për figura si Shën Pali që është sakrifikuar për të mirën e mbarë njerëzimit.

Shkurtimisht do të doja të vija dukje se Shën Pali ishte një apostull, studiues dhe orator, njohës i gjuhëve të kohës dhe të vjetra, një nga teologët me të shquar të krishterimit, filozof dhe dijetar, titullar i “cives romanus” (qytetar i Romës), titull që atij i njihte privilegje te pakufishme. Misioni i tij i paqes dhe humanizmit, që e ndërmori mbetet aktual dhe na mblodhi sot këtu, në këtë sallë të diturisë dhe të dialogut që është e hapur për të gjithë.

Më lejoni të vë në dukje se misioni i Shën Palit do të ishte i pamundur po që se në udhëtimin e tij nëpër Iliri nuk do të ishte pritur me dëshirën e dëgjimit dhe të përqafimit, të shpresës dhe të mesazhit që Shën Pali i shërbente me një përkushtim martirizues, për të cilin thekson: “kështu, qysh prej Jerusalemit e përqark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit ...”

E gjej me vend sot, qe nëpërmjet këtij tubimi t’ua përkujtoj audiencës se pranishme dhe atyre që na ndjekin nëpërmjet medieve, të shkruara dhe pamore, se toleranca fetare, mirësia dhe dashuria ndërmjet njerëzve dhe komuniteteve të ndryshme fetare, kanë qenë dhe mbeten tipare kombëtare të shqiptareve. Krijimi i shtetit të lirë, të pavarur dhe sovran, në hapësirën territoriale të Kosovës, ka krijuar mundësi të reja për bashkëjetesë me të gjithë komunitetet, etnitë dhe besimet.

Te ne fetë kanë ardhur nëpërmjet rrugëve të ndryshme, por si komb dhe individë jemi munduar të zgjedhim dhe t’i përvetësojmë mesazhet e dashurisë, të respektit dhe të tolerancës ndaj tjetrit, por edhe ndaj më të dobëtit. E kemi shprehur përmjet urimeve të ndërsjella në dite festash, e kemi përcjell edhe nëpërmjet kobëve, si dhe nëpërmjet lidhjeve martesore të individëve me fe të ndryshme, duke i respektuar dhe duke i çmuar besimet e njeri-tjetrit, lirinë për të zgjedhur dhe për ta përqafuar sipas dëshirës besimin në mënyrë individuale për ta realizuar komunikimin shpirtëror. E çmojmë si pasuri kombëtare faktin se deri me sot asnjëherë në historinë tonë populli ynë nuk ka pasur konflikte ndërfetare. Nuk kemi shkaktuar dhe as nuk do të lejojmë të kemi dasi dhe luftëra fetare as ndërmjet shqiptareve e as me ata që na rrethojnë. Këtë vlerë kombëtare, që është për t’u marrë shembull edhe nga të tjerët, e kemi sublimuar edhe me Kushtetutën tonë moderne.

Aktiviteti i sotëm, del si detyrë nga akti i Shën Palit për përhapjen e mirësisë dhe si mesazh besimi e dashurie për të ardhmen ndërmjet njerëzve. Kjo më shtyn të kërkoj nga komunitetet tona fetare që ushtrojnë aktivitet të lire, të garantuar me Kushtetutë, të bashkëpunojnë, të krijojnë dhe të forcojnë ura komunikimi ndërmjet tyre, të bëhen komunitete të shëndetshme, të çliruara nga fryma e urrejtjes dhe e mungesës së tolerancës. Ato duhet të ushqejnë përmes praktikave dhe mesazheve fetare frymën e vëllazërimit për të gjithë individët, që të ndihen dhe të jetojnë si qytetarë të barabartë, me dinjitet dhe të bëhen të plotfuqishëm në dëshirat, vullnetet, mendimet dhe veprimet e tyre për një shtet të të gjithëve, për një shtet modern evropian, për një Kosovë, në të cilën besimi, liritë fetare, qytetare, politike, sociale, si dhe progresi, siguria, mirëqenia dhe solidariteti përtej besimeve të bëhen pasuri dhe përgjegjësi e gjithsecilit.

Edhe një herë ju përshëndes dhe ju uroj punë të mbarë në këtë simpozium.

Ju faleminderit”.

U mbajt simpoziumi “Shën Pali-Apostulli dhe ungjillëzuesi ynë”