Lajmet e fundit

Seanca e Kuvendit të Kosovës

, 11.06.2009




Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës , të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, në fillim nga rendi i ditës u hoqën pika e dytë, e gjashtë dhe e shtatë, përkatësisht: Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/15 për skemën sociale në Kosovë, Shqyrtimi i Projekt-Rregullores së Kuvendit dhe Shqyrtimi i Raportit të Radio Televizionit të Kosovës,sepse siç vlerësohej kanë nevojë për ripunim e plotësim. Në kohën e pyetjeve parlamentare deputetëve iu përgjigjën në pyetjet përkatëse kryeministri Hashim Thaçi dhe ministrat:Zenun Pajaziti,Sadri Ferati,Nenad Rashiq, Nekibe Kelmendi, Arsim Bajrami dhe Mahir Jagxhillar.

Në vijim deputetët shqyrtuan dhe përkrahën në parim Projektligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, të cilin në seancë e prezantoi ministrja e Drejtësisë Nekibe Kelmendi, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-133 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, të cilin gjithashtu e prezantoi ministrja Kelmendi. Deputetët pastaj miratuan Projektligjin për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural.

Debat mjaft i gjerë u zhvillua rreth Raportit të Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, për formimin e Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës, ndërsa pas debatit, të shoqëruar edhe me mospajtime të ndryshme , seanca përkrahu rekomandimet e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi.

Në vazhdim të seancës, e cila u kryesua edhe nga anëtari i Kryesisë Naim Maloku, u shqyrtua Raporti i Autoritetit Rregullator për Telekomunikacion, për vitin 2008, për të cilin gjithashtu u zhvillua debat nga shumë deputetë, të cilët u përqendruan në disa mangësi të raportit. Komisionet përkatëse funksionale nuk kishin propozuar rekomandime, pos që kishin dhënë pëlqimin për procedim, shoqëruar me një rekomandim nga Komisioni për Ekonomi, Tregti,Industri,Transport dhe Telekomunikacion se duhet të fillojë procedua për zgjedhjen e Bordit të ART-së.

Pastaj, seanca filloi shqyrtimin e Propozim vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për periudhën 2010-2012. Lidhur me disa nga aspektet kryesore zhvillimore që e presin Kosovën në këtë periudhë foli ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala. Pas disa diskutimeve u vendos që kjo pikë dhe pikat tjera të parapara të rendit të ditës të shqyrtohen nesër, pas përfundimit të seancës , në të cilën do të shqyrtojnë Raportin Financiar të Buxhetit të konsoliduar të Kosovës për periudhën 1 janar- 31 dhjetor 2008.
Seanca e Kuvendit të Kosovës