Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare

, 12.06.2009




Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Xhavit Haliti, anëtar i Kryesisë, deputetët shqyrtuan Raportin financiar të Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës për periudhën 1 janar - 31 dhjetor 2008, të cilin e prezantoi ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala.

Ministri Shala e ka quajtur të pakontestueshme performanën e institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës në fushën e menaxhimit të parasë së taksapaguesve kosovarë. Ai ua ka përkujtuar deputetëve se plani buxhetor i të hyrave vjetore për vitin 2008 ka qenë 888.900.000 euro, kurse plani i shpenzimeve vjetore prej 1.177.944.000 euro.

Të hyrat grumbulluara, pa i përfshirë këtu grantet e donatorëve kanë qenë 942.525.000 euro, që paraqesin 106 për qind e të hyrave të përgjithshme vjetore, të rritura për 14 për qind krahasuar me një vit më parë. Të hyrat në kufi arrijnë 64 për qind të hyrave të përgjithshme, që kapin shumën prej mbi 604 mijë euro, duke e tejkaluar planin për katër për qind. Po me këtë përqindje janë rritur edhe të hyrat e brendshme nga Administrata tatimore e Kosovës prej mbi 200 milionë euro. Të hyrat komunale kanë tejkaluar planin për 12 për qind, kurse të hyrat jotatimore janë rritur 29 për qind mbi planin.

Në vazhdim ministri Shala ka dhënë shënime për të gjitha kategoritë e të dalave (shpenzimeve). Ai ka vënë në pah sidomos ngritjen e investimeve kapitale për 124 për qind, krahasuar me një vit më parë.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, Gani Koci, është shprehur se raporti i plotëson kushtet ligjore për shqyrtim dhe është në përputhje me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit. Raporti është lavdëruar nga shefat e grupeve parlamentare të pozitës dhe deputetët tjerë të shumtë nga ky formacion, kurse është kritikuar nga shumë deputetë të opozitës.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka marrë fjalën për të sqaruar se arsye për pranisë së pamjaftueshme të përfaqësuesve të qeverisë në këtë seancë ka qenë takimi i qeveritarëve me përfaqësues të Mekanizmit Përcjellës të Asocim-stabilizimit, që po mbahet në Prishtinë. Ai, ndërkaq, disa herë ka bërë replikë me deputetë lidhur me performancën e Qeverisë në fushën e menaxhimit të parasë publike. Ai disa herë ka prezantuar lista të gjata shkollash, rrugësh etj., të ndërtuara dhe të meremetuara nga qeveria të cilën e udhëheq.

Pjesën e pasdites së kësaj seance e ka drejtuar kryeparlamentari Krasniqi. Pas një debati të gjallë parlamentar dhe fjalës përfundimtare të ministrit Shala, deputetët me shumicë votash e kanë miratuar Raportin financiar të Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës për periudhën 1 janar - 31 dhjetor 2008.
Nga punimet e seancës plenare