Lajmet e fundit

Fjala e kryeparlamentarit, dr. Jakup Krasniqi, në mbledhjen solemne të Kuvendit të Kosovës në njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës

, 15.06.2009




I nderuari President Ahtisari,

Shfrytëzoj rasti që në emër të Kuvendit të Kosovës dhe timin, t’Ju uroj për çmimin Nobel për paqen, për sukseset që i keni pasur dhe do t’i keni në shërbim të lirisë, paqes dhe demokracisë, duke u dëshiruar gjithë të mirat për Ju dhe Familjen tuaj.

Populli, shqiptar, gjithë qytetarët e Kosovës, ne përfaqësuesit e zgjedhur në zgjedhjet e lira e demokratike e kemi kuptuar gjithë procesin që keni udhëhequr Ju për statusin politik për Kosovën shtet të pavarur, sovran e demokratik - si kompromis të dhimbshëm, por shumë të rëndësishëm bile edhe të domosdoshëm për të sotmen dhe të ardhmen e qytetarëve pa dallim etnie, feje, gjinie a moshe të Republikës së Kosovës. Ju jemi mirënjohës!

Përvjetorët e Kosovës së pavarur kanë karakterin festiv e kremtues, por mbi të gjitha ato janë kthyer në momente bilancesh të të arriturave dhe ndryshimeve të mëdha në Republikën tonë të re.

Duke pasur në përmbajtjen e saj vlerat e përparuara evropiane dhe botërore, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dokument bazë juridik dhe politik, hapi perspektiva të shkëlqyera të konsolidimit të demokracisë sonë të re, të ndërtimit të institucioneve të saj përkatëse, të stabilitetit politik e ekonomik dhe të kthimit të vendit tonë në faktor paqeje e mirëkuptimi. Demokracia jonë kushtetuese siguron qeverisjen e popullit nëpërmjet të përfaqësuesve të tij të zgjedhur, përcakton qartë kompetencat institucionale dhe u garanton gjithë qytetarëve të Republikës, pa asnjë dallim, të drejtat themelore e barazinë para ligjit.

Me Kushtetutën e Republikës së Kosovës janë ngritur standardet evropiane për komunitetet pakicë, janë hapur perspektiva e mundësi të mëdha për çdo qytetar të çdo etnie e feje që shikon kah e ardhmja e vet dhe e fëmijëve. E drejta për gjuhë dhe trashëgimi kulturore e fetare ka marrë dimensione të reja. Të drejtat e njeriut, fjala e lirë dhe lëvizja ka fituar hapësira të reja në këtë shtet të ri Evropian.

Deklarata e Pavarësisë, Kushtetuta dhe gjithë legjislacioni i aprovuar sipas provizioneve të Pakos së Presidentit Ahtisari, janë vlera bazike në themelet e shtetësisë së Kosovës. Përcaktimi dhe përkushtimi në vlerat kushtetuese, demokratike dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut e të komuniteteve pakicë, e kanë bërë shtetin tonë një subjekt simpatik, por edhe serioz e të përgjegjshëm para botës civilizuese. Realiteti i ri pas shpalljes së Pavarësisë, krijoi kushtet e mirëkuptimit ndërkombëtar për Kosovën, si në solidaritetin e donatorëve, në njohjen e shpejtë nga 60 vende të botës, në pranimin në Fondin Monetar Ndërkombëtar e në Bankën Botërore etj.

Qëllimi ynë është integrimi në BE dhe lëvizja e lirë në Evropë dhe Botë dhe natyrisht për këtë na duhet mbështetja ndërkombëtare. Këto të drejta si edhe të drejtat e avancuara në pushtetin lokal janë të garantuara me Kushtetutë e ligjet në fuqi të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Më duhet të them me dhembje, që edhe pas një viti të hyrjes në fuqi, Kushtetuta nuk po zbatohet në tërë territorin e Kosovës, për shkak të ndërhyrjes së Beogradit në punët e brendshme të Kosovës . Por, ky fakt nuk e vë aspak në dyshim vendosmërinë tonë për shtetin integral, të lirë dhe sovran të Kosovës. Beogradi për fatin e keq të popullit të Kosovës dhe të Serbisë njëkohësish, po vazhdon të ndjekë politika të obstruksionit ndaj Kosovës, që kanë për qëllim rrënimin e saj. Kjo politikë rrënuese ka çmimin e saj që u faturohen qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës. Ne do të përballemi me të derisa qarqet serbe të binden se nuk është kjo filozofia politike e Evropës moderne e të bashkuar, nuk është kjo logjika e fqinjësisë së mirë dhe e stabilitetit rajonal. Serbia ka kërkuar që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ta shqyrtojë legjitimitetin ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës, por ne jemi të bindur që e drejta jonë është plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Qëllimi ynë si qytetarë dhe përfaqësues të zgjedhur është integrimi në BE dhe lëvizja e lirë në Evropë dhe Botë dhe natyrisht për këtë na duhet mbështetja ndërkombëtare e veçanërisht e vendeve të BE, gjithë mekanizmave të saj. Jemi popull i vjetër evropian, me tradita dhe vlera evropiane dhe jo pak herë kemi luftuar për vlerat tona evropiane. Këtë po e bëjmë edhe tani.

Ne që morëm pjesë në procesin politik për definimin e statusit politik për Kosovën shtet të pavarur, sovran e demokratik, që mbështetëm këtë proces të rëndësishëm për çdo qytetarë, jemi krenar për perspektivën evropiane e demokratike që kemi vendosur në koordinim me faktorin demokratik ndërkombëtar dhe që po jep fryte të reja e të shëndetshme. Ne populli i Kosovës që meritojmë më shumë se sa kemi, jemi përcaktuar me bindje e vendosmëri që më Kushtetutë e ligje ta ndërtojmë shtetin ligjor të së ardhmes. Shtetin që hapi mundësi e perspektiva të reja të panjohura më parë në këto hapësira.

Shfrytëzoi këtë ditë të shënuar për Kosovën dhe qytetarët e saj që vendet e BE, SHBA, OKB dhe KS ta mbështesin edhe më fuqishëm shtetin më të ri të Botës – Republikën e Kosovës se vetëm kështu mbështesin çdo qytetarë të saj, mbështesin demokracinë, perspektivën dhe zhvillimin ekonomik të shtetit të ri.

I nderuari President Ahtisaari,

Gjej këtë rast të bukur për të falënderuar dhe për të shprehur mirënjohjen tonë të thellë për punën e madhe dhe kontributin që i kanë dhënë zgjidhjes së statusit të Kosovë, stabilizimit të paqes e të sigurisë në rajonin tonë, zoti Martti Ahtisaari, bashkëpunëtorët dhe pasuesit e tij.

Faleminderit!