Lajmet e fundit

Seancës solemne në njëvjetorin e Kushtetutës

, 15.06.2009




Seancën solemne në njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në të cilën merrnin pjesë edhe Albert Rohan, i dërguar i posaçëm i OKB-së për Kosovën, Pieter Feith, Përfaqësues Civil Ndërkombëtar, Shefi i EULEX-IT, Iv de Kermabo, Soren Jessen-Petersen, ish-kryeadministrator i Kosovës, ambasadorë dhe shefa të zyrave diplomatike në Kosovë, e ka hapur kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi. Pasi e ka përshëndetur ish-presidentin Martti Ahtisaari në emër të Kuvendit të Kosovës dhe në emër të tij personal për çmimin Nobel për paqen, për sukseset në shërbim të lirisë, të paqes dhe demokracisë, Krasniqi ka theksuar se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dokument bazë juridik dhe politik, hapi perspektiva të shkëlqyera të konsolidimit të demokracisë sonë të re, të ndërtimit të institucioneve të saj përkatëse, të stabilitetit politik e ekonomik dhe të kthimit të vendit tonë në faktor paqeje e mirëkuptimi. “Demokracia jonë kushtetuese siguron qeverisjen e popullit nëpërmjet të përfaqësuesve të tij të zgjedhur, përcakton qartë kompetencat institucionale dhe u garanton gjithë qytetarëve të Republikës, pa asnjë dallim, të drejtat themelore e barazinë para ligjit” ka theksuar Krasniqi, duke shtuar se me Kushtetutën e Republikës së Kosovës janë ngritur standardet evropiane për komunitetet pakicë, janë hapur perspektiva e mundësi të mëdha për çdo qytetar të çdo etnie e feje që shikon kah e ardhmja e vet dhe e fëmijëve. E drejta për gjuhë dhe trashëgimi kulturore e fetare ka marrë dimensione të reja. Të drejtat e njeriut, fjala e lirë dhe lëvizja ka fituar hapësira të reja në këtë shtet të ri Evropian, ka theksuar Krasniqi. “Deklarata e Pavarësisë, Kushtetuta dhe gjithë legjislacioni i aprovuar sipas provizioneve të Pakos së Presidentit Ahtisaari, janë vlera bazike në themelet e shtetësisë së Kosovës”, ka vënë në pah kreu i Kuvendit të Kosovës. Ai ka theksuar me dhembje faktin se edhe pas një viti të hyrjes në fuqi, Kushtetuta nuk po zbatohet në tërë territorin e Kosovës, për shkak të ndërhyrjes së Beogradit në punët e brendshme të Kosovës. Duke pohuar se qëllimi ynë si qytetarë dhe përfaqësues të zgjedhur është integrimi në BE dhe lëvizja e lirë në Evropë dhe Botë, Krasniqi ka kërkuar nga vendet e BE-së, SHBA,-të OKB-ja dhe Këshilli i saj i Sigurimit ta mbështesin edhe më fuqishëm shtetin më të ri të Botës – Republikën e Kosovës, duke u shprehur i bindur se vetëm kështu mbështesin çdo qytetarë të saj, mbështesin demokracinë, perspektivën dhe zhvillimin ekonomik të shtetit të ri.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi se gjatë gjithë historisë e saj politike Kosovës dhe qytetarëve të saj u është imponuar dhunshëm Kushtetuta . Një vit më parë, Kosova miratoi për herë të parë Kushtetutën e vullnetit të vet, që ishte kulminacion i një rruge të gjatë për një republikë të re, të përkushtuar për liri dhe rend demokratik, ka theksuar Thaçi, duke pohuar se shumë njerëz kanë sakrifikuar kaq shumë dhe shumë kohë, prandaj kjo Kushtetutë qëndron si monument për t’i inkurajuar të gjithë ata që luftuan për të drejtat tona dhe për pavarësinë tonë. Në këtë rrugë u konsultuam me mendjet më të ndritura të ligjit në këtë shtet dhe në tërë botën, shumë prej të cilëve janë me ne këtu sot.

“Kushtetuta jonë deklaron qartas se Republika e Kosovës bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimit të ligjit. Kosova sot ka demokraci moderne evropiane, rritja dhe zhvillimi i së cilës është i paevitueshëm. Qytetarët e shtetit tonë janë të vetëdijshëm se çdo pjesëtar i shoqërisë sonë, pa marrë parasysh racën, gjininë, fenë apo kombin duhet t’i ketë të drejtat të mbrojtura dhe zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe respektohet“, theksoi Hashim Thaçi.

Në vazhdim ai theksoi se e ardhmja jonë , çdo ditë e më shumë është e ndritur dhe e sigurt, ndaj dha mesazhin : “ Të shkojmë drejt të ardhmes së bashku, krenar dhe të bashkuar, dhe t’i qëndrojmë besnik kësaj Kushtetute“.

Njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, theksoi kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu, po e shënojmë me një varg të arriturash. Republika e Kosovës, shtet sovran dhe demokratik i të gjithë qytetarëve të saj, është njohur nga 60 shtete anekënd globit dhe me shumë prej tyre ka vënë marrëdhënie bilaterale diplomatike. Kosova tashmë është anëtarësuar në mekanizma të rëndësishëm si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

Këto janë arritje impresive për vendin tonë në planin ndërkombëtar, por qytetarët dhe institucionet tona kanë arritur rezultate të rëndësishme edhe në planin e brendshëm, ka thënë presidenti Sejdiu, duke theksuar se vendi ynë ka dhënë dëshmi të fuqishme se është faktor i paqes, i sigurisë dhe i bashkëpunimit të mirë rajonal. Prandaj, në këtë përvjetor, më lejoni që të falënderoj për punën e shkëlqyeshme mekanizmat e sigurisë, KFOR-in, Policinë e EULEX-it dhe Policinë e Kosovës, që me gjithë sfidat e shumta, kanë arritur ta shndërrojnë vendin tonë në një faktor shumë të rëndësishëm të paqes dhe të sigurisë rajonale.

Institucionet e Republikës së Kosovës janë zotuar se do ta respektojnë me përpikëri Propozimin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari, duke implementuar ligje të rëndësishme që dalin nga ky propozim edhe në Kushtetutën e vendit. Këto ligje u japin garanci dhe siguri të plotë bashkësive etnike pakicë se të drejtat dhe liritë e tyre do të respektohen në nivelin më të lartë të mundshëm, ka thënë presidenti i Kosovës.

Në vijim Fatmir Sejdiu theksoi:

”I nderuar President Ahtisari,

Institucionet dhe qytetarët e Kosovës do t’ju nderojnë përherë Ju, si dhe bashkëpunëtorët tuaj, ambasadorët Rohan, Uizner dhe Ishinger, për rolin e pazëvendësueshëm në procesin që mundësoi realizimin e ëndrrave tona shekullore për liri, pavarësi dhe demokraci. Ne ju shprehim falënderimin me urimin autentik të popullit të Kosovës: Qofshi gjithmonë faqebardhë!

Si shenjë mirënjohjeje e institucioneve dhe e popullit të Kosovës, dhe duke u bazuar në kompetencat që me jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës, unë kam vendosur, z. President, që t’ju dekoroj me Medaljen e Artë të Pavarësisë, e cila u jepet qytetarëve të Kosovës dhe atyre të huaj, të cilët kanë kontribuar për Pavarësinë e Kosovës”. Në përmbyllje të këtij falënderimi e urimi presidenti Sejdiu ia dorëzoi dekoratën z. Martti Ahtisaari , që u përcoll me duartrokitje të gjata të deputetëve dhe të të gjithë të pranishmëve në seancë.

Duke u falënderuar për dekoratën e lartë që mori nga presidenti Sejdiu, ish-kryenegociatori për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, tha se kjo dekoratë do të vendoset në një vend të veçantë në zyrën e tij të re në Helsunki, e cila hapet sot. Ai në vijim shprehu përgëzimet më të thella për njëvjetorin e Kushtetutës, duke theksuar se Kosova tashmë ka hyrë në rrugë të mbarë si vend i lirë, demokratik që e do paqen dhe është atdhe i të gjithë qytetarëve. Pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm, e kjo po dëshmohet edhe nga njohjet që vijnë nga vende të ndryshme të botës, ka theksuar ish-presidenti Ahtisaari, i cili ka pohuar se në Kosovë, është arritur një progres shumë i madh, duke veçuar sidomos konstituimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilën e quajti themel të arkitekturës institucionale të Kosovës. Për të gjitha këto të arritura ai i falënderoi institucionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovës. Ai, më këtë rast, i ka porositur krerët institucional dhe qytetarët e Kosovës që të jenë unikë në tejkalimin e sfidave që shtrohen, sidomos, përparimin ekonomik të vendit, punësimin e të rinjve, si dhe angazhimin drejt perspektivës evropiane të Kosovës. Në këto angazhime Ahtisaari ftoi edhe komunitetin serb të jetë bashkëpjesëmarrës në krijimin e ardhmërisë për brezat.

“Vizioni im për Kosovën është i qartë: vend demokratik, i tolerancës, i respektuar dhe bashkëpunues me fqinj për paqe, për realizimin e të cilave kërkohet energji kolektive” ka thënë në fjalën e tij para deputetëve të Kosovës, ish-presidenti Martti Ahtisari, duke premtuar se do të vazhdojë ta mbështesë ëndrrën e popullit të Kosovës për të ardhmen .
Seancës solemne në njëvjetorin e Kushtetutës