Lajmet e fundit
Nga Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport
, 19.06.2009
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport i Kuvendit të Kosovës , mbajti sot një dëgjim publik lidhur me Projektligjin për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë, të kryesuar nga Arsim Rexhepi,kryetar i grupit të punës së këtij komisioni për këtë projektligj. Dëgjimi publik u ndihmua edhe nga NDI. Duke hapur këtë dëgjim publik, Drita Kadriu, nënkryetare e Komisionit , theksoi se nga fundi i vitit të kaluar ky projektligj i është kthyer Ministrisë së Kulturës,Rinisë dhe Sportit pas shqyrtimit në Kuvendin e Kosovës, ndërsa tash është një version i përpunuar, ndaj edhe janë ftuar përfaqësues të grupeve të interesit për të dhënë mendimet e tyre lidhur me Projektligjin. Një prezantim të Projektligjit para të pranishmëve e bëri drejtori i departamentit për rini në Ministrinë e Kulturës, Fatmir Hoxha. Në debatin që pasoi u tha se ky Projektligj rregullon një segment shumë të rëndësishëm nga lëmi i pjesëmarrjes së rinisë në vendimmarrje dhe krijimit të hapësirës për aktivizim të të rinjve në proceset e gjithëmbarshme shoqërore , duke përfillur edhe standardet evropiane e ndërkombëtare në këtë lëmë, në mbështetje të të cilave edhe është hartuar. Në nismë të hartimit të projektligjit nga ana e Ministrisë së Kulturës, u tha se ishin organizuar 80 takime me grupe të interesit. Diskutuesit u përqendruan më shumë në aspektin se a janë përcaktuar si duhet detyrat dhe përgjegjësit institucionale, duke shtruar kërkesën që disa çështje duhet të specifikohen edhe më. U dhanë vërejtje se disa pjesë të Projektligjit tingëllojnë mjaft deklarative, ndokund ka edhe konfuzione, ose kundërshti ndërmjet neneve të ndryshme. Doli propozimi që në Projektligj të zërë vend edhe kërkesa që sektori i rinisë të ketë buxhetin e vet.
Komisioni u zotua se vërejtjet e dhëna në këtë dëgjim publik do të merren parasysh me rastin e amendamentit të tij.
Komisioni u zotua se vërejtjet e dhëna në këtë dëgjim publik do të merren parasysh me rastin e amendamentit të tij.