Lajmet e fundit
Nga seanca e Kuvendit të Kosovës
, 23.06.2009
Informata për Incidentin në dhomën e provave të Policisë së Kosovës ishte pikë e vetme e rendit të ditës së seancës së Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit. Para deputetëve këtë informatë e paraqiti, ministri i Punëve të Brendshme,Zenun Pajaziti. Ai tha se ,duke vlerësuar lart angazhimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës në përgjithësi dhe Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri në veçanti për adresimin e çështjeve që ndërlidhen me sektorin e sigurisë në vend, prezanton para Deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, raportin për rastin e vjedhjes në Dhomën e Dëshmive të Policisë së Kosovës.
Në vijim ministri Zenun Pajaziti tha:”Në bazë të raportit të Policisë së Kosovës jam informuar se në natën mes 24 dhe 25 prill 2009, persona tani për tani të panjohur duke kaluar pengesat fizike përfshirë murin me tela gjembor nga ana e pasme e objektit, dhe duke shfrytëzuar shkallët emergjente prapa objektit të Policisë së Kosovës, përmes derës për hyrje-dalje emergjente në katin e pestë kanë hyrë brenda objektit ku ka qenë Dhoma e Dëshmive.
Përkundër asaj se Dhoma ku janë mbajtur evidencat ka qenë e siguruar me dy dyer, njëra e rëndomtë ndërsa tjetra e hekurt, kryerësit kanë arritur që me forcë duke përdorur mjete të forta të hapin dyert dhe të depërtojnë brenda në këtë Dhomë”.
Në vazhdim, pasi foli për sasinë dhe llojin e gjërave të vjedhura, ministri Pajaziti tha:”Policia e Kosovës ka ndërmarrë një serë veprimesh operative të përcaktuara me parime dhe procedura të Policisë për sigurimin e vendit të ngjarjes ku ka ndodhur rasti dhe me qëllim të mbledhjes si dhe sigurimit të dëshmive dhe provave si pjesë e procedurës hetimore.
Fillimisht pjesëtarët e policisë kanë ndërmarrë të gjitha masat nevojshme për sigurimin dhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes duke angazhuar njësitë e specializuara të krim teknikës për shikimin e vendit të ngjarjes.
Si rezultat i shikimit të vendit të ngjarjes dhe mbledhjes së gjurmëve nga njësitet e specializuara janë kryer një sërë veprimesh duke grumbulluar:Gjurmë dhe mikrogjurme të cilat janë dërguar në laborator për ADN-në. Janë marrë gjurmë të gishtave dhe gjurme te tjera në vendin e ngjarjes.
Me qellim te koordinimit me te mire te veprimeve hetimore, operative, analitike dhe te mbështetjes së nevojshme administrative, në momentin që jam njoftuar nga Drejtori i përgjithshëm kam kërkuar nga ai që ky rast të trajtohet me prioritet absolut.
Si rezultat i kësaj Drejtori i Përgjithshëm i Policisë në bazë të kompetencave ka angazhuar një ekip të hetuesve policorë profesional për zbardhjen sa më të shpejtë të të gjitha rrethanave, motiveve, dhe implikimeve te tjera ne lidhje me te dyshuarit, arrestimin dhe sjelljen e tyre para drejtësisë.
Detyrat e dhe angazhimet e grupit hetues (task forcë) janë mbështetja e hetuesve bartës të lëndës në grumbullimin, hulumtimin dhe analizën e të gjitha informacioneve në lidhje me rastin, mbështetja dhe koordinimi i veprimeve me organizata dhe institucione të tjera vendore dhe ndërkombëtare, koordinimi me policinë e EULEX-it, me polici te vendeve fqinje por edhe të vendeve të tjera, si dhe mbështetja e nevojshme logjistike dhe administrative.
Prej momentit kur ka ndodhur rasti janë zhvilluar hetime intensive nga zyrtarët policor nën udhëheqjen e prokurorit. Rasti është nën mbikëqyrjen e prokurorit ndërkombëtar nga prokuroria speciale dhe janë duke u zhvilluar hetime ndaj disa të dyshuarve të mundshëm.
Në vazhdën e veprimeve hetimore Policia e Kosovës më datën qershor 2009, gjatë një operacioni në pikën kufitare të Hanit të Elezit, ka arrestuar tre persona meshkuj, kurse dy femra janë shoqëruar në polici.
Për shkak të përcjelljes për një kohë të gjatë nga Policia të të dyshimtëve, në momentin që ata kanë tentuar për tu larguar nga Kosova, Policia ka zhvilluar operacionin e kapjes së tyre në pikën kufitare të Hanit të Elezit.
Arrestimi është bërë me dyshimin se këta persona janë të involvuar në aktivitete kriminale. Në momentin e arrestimit, njëri nga të dyshuarit kishte dokumente me identitet të rrejshëm dhe të falsifikuar dhe i njëjti ka tentuar të arratiset nga pika kufitare në kohën kur ishte duke kaluar kufirin, mirëpo policia kishte arritur ta arrestojë. Ndërkohë janë arrestuar edhe dy meshkuj tjerë të cilit kishin identitet të rrejshëm, si dhe janë shoqëruar edhe dy femrat që ishin së bashku në automjet. Në lokacionet e personave të arrestuar, është kryer kontrollimi i shtëpive, ku është konfiskuar një armë automatike AK-47, një maskë dhe dëshmi tjera.
Nga tre të arrestuarit, dy prej tyre kishin urdhër arrest të më hershëm për vepër penale, tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje, nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë dhe Mitrovicë.
Personat e arrestuar janë duke u hetuar nga policia, edhe për involvimin e mundshëm të tyre në vjedhje e rëndë në dhomën e dëshmive në polici.
Drejtori i Përgjithshëm me qëllim të ngritjes së efikasitetit në zbardhjen e këtij rasti ka themeluar grupin e veçantë “Task Forcë” për të mbështetur hetimet në këtë rast.
Në bazë të Ligjit të Policisë Drejtori ka pavarësi operacionale në menaxhimin dhe udhëheqjen me Policinë e Kosovës dhe si rezultat i shfrytëzimit të autorizimeve të tij ai ka themeluar këtë grup të veçantë për të mbështetur hetimet që janë duke u zhvilluar nga hetuesit bartës të rastit.
Gjithashtu me këtë rast Drejtori i Përgjithshëm ka suspenduar 5 zyrtarë policorë nga të cilët disa kanë qenë përgjegjës për sigurinë e Objektit ndërsa disa të tjerë kanë pasur përgjegjësi menaxheriale.
Sa i përket involvimit të Inspektorati Policor ju informojë se në bazë të Ligjit për Inspektoratin Policor, Inspektorati është i autorizuar të zhvilloje inspektime dhe të raportojë mbi punën dhe efikasitetin e punës së policisë, si dhe ka autoritet të hetojë shkeljet e renda disiplinore, pra të zhvillojë procedurë hetimore administrative.
Inspektorati është duke zhvilluar procedurën e inspektimit dhe hetimit administrativ në bazë të autorizimeve që ka dhe varësisht nga zhvillimi i këtyre aktiviteteve do të dalë me rekomandimet konkrete për rastin. Padyshim se rasti i vjedhjes në Dhomën e Dëshmive ka dëmtuar rëndë imazhin e Policisë së Kosovës.
Që prej fillimit kam kërkuar nga Menaxhmenti i Policisë së Kosovës trajtimin e këtij rasti me prioritet absolut duke u fokusuar në dy aspekte: adresimin e përgjegjësisë penale duke zbardhur në tërësi rastin dhe duke sjellë para drejtësisë kryerësit e kësaj vepre të rëndë penale; si dhe adresimin e përgjegjësisë menaxheriale.
Më lejoni të ju siguroj se për zbardhjen e rastit janë angazhuar hetuesit dhe zyrtarët policorë më të dëshmuar të Policisë së Kosovës, të cilët po punojnë me profesionalizëm dhe përkushtim të lartë për zbardhjen e rastit.
Edhe njëherë shfrytëzoj rastin të falënderoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për interesimin e treguar dhe mbështetjen e ofruar në zbardhjen e këtij rasti, duke ju siguruar se ky rast nuk do të mbetet i harruar dhe me hetime të pafundme. Zbardhja e rastit dhe sjellja para drejtësisë e të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në këtë vepër penale duke mos përjashtuar as zyrtarët policor, nuk ka alternativë dhe në bazë të raporteve dhe dinamikës aktuale të procesit hetimor ju siguroj se së shpejti priten rezultate konkrete në këtë drejtim”, theksoi ministri Zenun Pajaziti.
Pas informatës së ministrit Pajaziti, pasoi një diskutim mjaft i gjerë i deputetëve. Tehu i diskutimeve ecte në kahe të ndryshme, por pikësëpari kërkohej nga organet kompetente të hetuesisë dhe të drejtësisë që ky incident të zbardhet sa më parë. Në këtë vështrim kërkohej që rasti të ndriçohet nga institucionet përkatëse, pa pasur nevojë për politizime. Nga ana e deputetëve u bënë vërejtje se kjo informatë ishte e shkurtër dhe nuk ofroi të dhëna të mjaftueshme për rastin , por nga ministri u mor përgjigje se kjo bëhej për hir të mos dëmtimit të procesit të hetimeve.
Krejt në fillim të seancës, fjalën e mori deputeti Driton Tali, i cili tregoi për një kërcënim, që iu ka drejtuar atij ditë ma parë nga ana e Luan Berishës, ish-drejtor Llamkoasit, deri sa ishte duke dalë nga një lokal në Prishtinë.