Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Arsim Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport

, 24.06.2009




Informata gjithëpërfshirëse e kryetarit të Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës lidhur me rrjedhën e provimit të maturës shtetërore 2009, ishte temë thelbësore e mbledhjes së sotme të Komisionit për Arsim Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Agim Veliu, kryetar i Komisionit. Duke prezantuar këtë informatë, Nehat Mustafa, kryetar i Komisionit Qendror, theksoi se në testin e realizuar më 6 qershor të këtij viti kanë marrë pjesë 25764 maturantë , nga të cilët 11656, ose 45,66 për qind kanë arritur sukses pozitiv, ndërsa 13937 e maturantëve nuk kanë arritur sukses pozitiv. Z. Mustafa tha se testi është realizuar në 29 komuna të Kosovës , ndërkaq 98 qendrat e testimit të vendit i kanë administruar dhe vëzhguar 3400 administratorë dhe vëzhgues,320 anëtarë të komisioneve të qendrave të testimit, 100 monitorues nga UP dhe 30 monitorues nga Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës,kabineti i ministrit të Arsimit , drejtorë departamentesh dhe deputetë nga Parlamenti i Kosovës. Nga të gjitha qendrat e testimit janë pezulluar rezultatet për maturantët që i janë nënshtruar testimit në Qendrën numër 2 “Adem Gllavica” të Lypianit dhe të një klase të mësimit në gjuhën boshnjake të Pejës .Në vijim Nehat Mustafa tha se disa administratorë ishin të dobët, por për të gjithë procesin e testimit do të bëhet një analizë e përgjithshme.

Pas pyetjeve jo të pakta që bënë për rrjedhën e testimit, anëtarët e Komisionit shtruan domosdoshmërinë që të bëhet një analizë e faktorëve që ndikuan në një rezultat të këtillë jo të kënaqshëm , por edhe për dobësitë që u shfaqën gjatë testimit. Vëmendja e diskutuesve u përqendrua edhe në çështjen e cilësisë së testeve, në aspektin e asaj se a ishin ato të përshtatshme si pyetje për maturantët. Gjatë debatit u dha vërejtja se kjo informatë nuk ishte gjithëpërfshirëse.
Mbledhja e Komisionit për  Arsim Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport