Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik për Projektligjin për hetimin parlamentar

, 29.06.2009




Komisioni Parlamentar për Legjislacion dhe Gjyqësi ka mbajtur sot një dëgjim publik për Projektligjin për hetimin parlamentar, në të cilin ishin ftuar të merrnin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve vendëse e ndërkombëtare në Kosovë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të shoqatave të ndryshme juristëve dhe gjyqtarëve të Kosovës, por se ftesës i ishin përgjigjur vetëm NDI-a, KMDLNJ-ja dhe USAID-i.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, Bahri Hyseni, i cili e ka drejtuar këtë takim, në fjalën e tij hyrëse ka theksuar se këtë projektligj, i cili synon ta fuqizojë transparencën e institucioneve të Kosovës dhe t’i eliminojë abuzimet e njerëzve të veshur me imunitete, e ka hartuar vetë komisioni. Hyseni ka theksuar se teksti i ofruar nuk është përfundimtar, por se do të plotësohet me vërejtjet dhe sugjerimet nga ky dëgjim publik. Ai ka pohuar se gjatë hartimit të projektligjit janë marrë modele nga ligjet e ngjashme të vendeve të rajonit, sidomos ligji miratuar në Kuvendin e Shqipërisë.

Diskutimet janë përqendruar kryesisht në përkufizimin e ligjit, përbërjen e komisionit, dëgjimin e dëshmitarëve, mandatin e Komisionit, raportin përfundimtar të hetimit parlamentar dhe raportet e Komisionit hetimor me organet e drejtësisë.

Anëtarët e Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi, si dhe përfaqësuesit e mekanizmave, të cilët e mbështesin Kuvendin e Kosovës, kryesisht janë pajtuar se komisione hetimore parlamentare krijohen për hetimin e çështjeve me interes publik, të cilat i përkasin përgjegjësisë kushtetuese të Kuvendit. Ka pasur edhe mendime se Komisioni hetimor heton faktet dhe rrethanat që dyshohet se bien ndesh me interesin publik. Është kërkuar madje që në projektligj të theksohet se pos për hetimin e zyrtarëve të institucioneve të pushtetit të të gjitha niveleve, të precizohet se hetime parlamentare mund të krijohen edhe për agjencitë e ndryshme, të cilat krijon Kuvendi i Kosovës.

Në këtë dëgjim publik është shoshitur edhe gjetja e mekanizmave, që pa u involvuar në kompetencat e pushtetit gjyqësor, të sigurohet sjellja me dhunë e dëshmitarëve dhe e ekspertëve para komisionit. Është thënë gjithashtu që komisioni duhet të hartojë dhe ta bëjë publik raportin e tij përfundimtar hetimor, i cili duhet t’i dorëzohet edhe prokurorisë, nëse pos përgjegjësisë politike, ka dyshime të bazuara për vepër penale të të hetuarit.

Komisioni Parlamentar për Legjislacion dhe Gjyqësi ka mbajtur sot pas dite edhe një mbledhje tjetër, në të cilën ka shqyrtuar dhe Projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, si dhe raportin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2008.
Nga dëgjimi publik për Projektligjin për hetimin parlamentar