Lajmet e fundit

Tryezë e rrumbullakët lidhur me përfaqësimin e komuniteteve në administratën publike të Kosovës, në nivelin qendror dhe lokal

, 29.06.2009




Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, të cilin e ka kryesuar z. Bojan Stojanoviq, kryetar i Komisionit, sot ka mbajtur Tryezën e rrumbullakët lidhur me përfaqësimin e komuniteteve në administratën publike të Kosovës, në nivelin qendror dhe lokal.

Në tryezën e përmendur, përveç anëtarëve të Komisionit, marrin pjesë edhe zëvendësministri i Ministrisë për komunitete dhe kthim, z. Rifat Krasniq, drejtori i Administratës të shërbimit civil nga Ministria e administratës publike, z. Shefqet Berisha, përfaqësuesit e zyrave lokale për komunitetet dhe kthimin nga komunat: Pejë, Mitrovicë, Shar, Ferizaj, Lypjan, Burim, Klinë, Viti dhe Artanë, si dhe përfaqësuesit e OSBE-së dhe Ambasadës Zvicerane në Prishtinë.

Në tryezën e lartpërmendur, zëvendës ministri i Ministrisë për komunitete dhe kthim, z. Krasniq, duke marrë fjalën theksoi se përfaqësuesit e kësaj ministrie, para pak kohësh, kanë vizituar të gjitha komunat në Kosovë dhe kanë mbikëqyrur përfaqësimin e komuniteteve në administratën publike të Kosovës, në nivelin lokal, dhe se, së shpejti, do të dalin me tregues konkret lidhur me të dhënat nga tereni, deri tek të cilat kishin arritur.

Përfaqësuesi i Ministrisë të administratës publike, z. Berisha, me këtë rast ka theksuar se nga gjithsej 72.310 të punësuarve në shërbimin civil të Kosovës (këto të dhëna janë mbledhur me datën 31.03.2009,) në nivelin qendror numri i të punësuarve të pjesëtarëve të komuniteteve të ndryshme është 10,06%, ndërsa në nivelin lokal kjo përqindje është 10.64%.

Në vazhdim të punimeve të kësaj tryeze, përfaqësuesit e zyrave lokale për komunitete dhe kthim, duke u ofruar të dhëna mbi punësimin në strukturat komunale, kanë folur edhe lidhur me problemet me të cilat ballafaqohen pjesëtarët e bashkësive të cilat jetojnë dhe punojnë në Kosovë. Ndër problemet e përmendura janë edhe numri jo adekuat i të punësuarve në administratat komunale, punësimi jo i drejtë në institucionet publike, zbatimi jo i drejtë i Ligjit mbi zbatimin e gjuhëve si dhe, para së gjithash, të gjuhëve dhe të shkrimit të komuniteteve, si dhe punësimi i punëtorëve të cilët nuk janë pjesëtarë të atyre komuniteteve, ndërsa punësohen në emër të komuniteteve të cilave nuk iu përkasin.

Në fund kësaj tryeze, anëtarët e Komisionit u pajtuan se me mbajtjen e këtyre llojeve të tryezave të rrumbullakëta duhet të vazhdohet edhe në të ardhmen, si dhe duhet të bëhet implementimi i drejtë i përfaqësimit të komuniteteve në administratën e Kosovës, si në nivelin lokal po ashtu edhe në atë qendror.
Tryezë e rrumbullakët lidhur me përfaqësimin e komuniteteve në administratën publike të Kosovës, në nivelin qendror dhe lokal