Lajmet e fundit

Nga mbledhje e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

, 01.07.2009




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që më datën 9 korrik Kuvendi të mbajë dy seanca plenare.

Në seancën e parë të asaj dite presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, do të mbajë para deputetëve fjalën e tij vjetore në Kuvend. Anëtarët e Kryesisë e kanë mirëpritur gatishmërinë e presidentit për t'iu drejtuar Kuvendit.

Në seancën tjetër, të po asaj dite, si rëndom, Kabineti Qeveritar do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë së Kosovës, kurse në vazhdim do të procedohet me shqyrtimin dhe miratimin e projektligjeve në procedurë parlamentare.

Për herë të parë do të shqyrtohen: Projektligji për dhënien e dekoratave nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Projektligji për tatimin në të ardhurat e korporatave, si dhe Projektligji për miniera dhe minerale. Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për rezervat shtetërore të mallrave. Deputetët do të merren dhe me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për prokurimin publik dhe të Ligjit për punësimin e shtetasve të huaj.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet Raporti i Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 2003/11 për rrugët, si dhe Raporti i Komisioni Parlamentar Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës. Do të shqyrtohet edhe Propozim-vendimi i Qeverisë së Kosovës për emërimin e drejtorit dhe të zëvendësdrejtorit të Rregullatorit për Ujëra e Mbeturina, si dhe dokumenti Letra e Bardhë: Sfidat e përfshirjes sociale në Kosovë.

Në mbledhjen e sotme Kryesia ka shqyrtuar edhe disa mocione dhe kërkesa: Propozim-vendimin e Qeverisë për shpalljen e hapësirës zonë me interes të veçantë ku do të ndërtohet Hidrocentrali në Zhur dhe propozimin e Grupit Joformal të Grave Deputete lidhur ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit zgjedhor.
Nga mbledhje e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës