Lajmet e fundit

Kryetari i Kuvendit të Madh të Turqisë, z. Köksal Toptan, nis vizitën në Kosovë

, 05.07.2009




Kryetari i Kuvendit të Madh të Turqisë,z.Köksal Toptan, arriti sot në një vizitë zyrtare treditëshe në Kosovë. Në Aeroportin e Prishtinës, z. Toptan i uruan mirëseardhje anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës : Xhavit Haliti, Sabri Hamiti,. Mufera Shinik e Ibrahim Gashi, si dhe ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Jagxhillar. Posa zbriti në aeroport, kryetari i Kuvendit të Madh të Turqisë, shkëlqesia e tij z. Köksal Toptan shprehu kënaqësinë që është i pari kryetari i Kuvendit të Madh të Turqisë që viziton Kosovën e pavarur. Pastaj,cak i parë i vizitës së z.Toptan me delegacionin që e shoqëronte ishte Fabrika e Bukës në Fushë Kosovë. Duke iu drejtuar të pranishmëve , në pritjen që iu kishte organizuar nga udhëheqja e kësaj fabrike, z. Toptan shprehu entuziazmin që gjendet në Kosovë, si dhe u falënderua për pritjen e ngrohtë që iu bë. Në vijim të fjalës së tij, z. Toptan tha se ky investim nga ana e biznesmenit turk Ibrahim Aksoj na bën të lumtur të gjithëve. Kjo është shenjë se investimet turke në Kosovë do të jenë edhe më të mëdha, të cilat do të reflektohen pozitivisht në thellimin e bashkëpunimit të gjithëmbarshëm ndërmjet Turqisë dhe Kosovës. Shkëlqesia e tij z. Köksal Toptan shprehu bindjen se punët në Kosovë po ecin mirë, ndërsa interesimi i Turqisë për Kosovën mbetet i njëjtë si para pavarësisë, ashtu edhe pas pavarësisë, që u dëshmua edhe me njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës. “Ballkani është rajon i lidhjeve historike të popujve, ndaj edhe bëhen përpjekje për thellimin e bashkëpunimit. Edhe kjo ndërmarrje , ku jemi sot, tregon se çfarë rëndësie i jep shteti turk bashkëpunimit dhe zhvillimit të Kosovës”, theksoi z. Köksal Toptan.

Në emër të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës, kryeparlamentarin turk e përshëndeti me fjalë të ngrohta , anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, duke theksuar:”Jemi shumë të lumtur që keni rastin të vizitoni Kosovën. Duke qenë se jemi shteti më i ri në botë i jemi mirënjohës shtetit vëlla turk për përkrahjen që na dha në procesin e pavarësimit të Kosovës. Kemi histori të përbashkët dhe pothuajse kulturë të përbashkët”, theksoi Haliti. Z. Xhavit Haliti u shprehu mirënjohje edhe biznesmenëve turq për interesimet që tregojnë për të investuar në Kosovë.

Pas drekës që u shtrua në ambientet e kësaj fabrike për të gjithë të pranishmit, shkëlqesia e tij z. Köksal Toptan bashkë me delegacionin vizitoi edhe Odën e Tregtisë Kosovare-Turke.

Z. Toptan nesër do të ketë një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës ,dr. Jakup Krasniqi, si dhe do t’ iu drejtohet deputetëve në seancë solemne.
Kryetari i Kuvendit të Madh të Turqisë, z. Köksal Toptan, nis vizitën në Kosovë