Lajmet e fundit

Fjala e kryetarit të Kuvendit, zotit Jakup Krasniqi, me rastin e vizitës së kryetarit të Kuvendit të Madh të Turqisë, zotit Köksal Topta, në Kosovë

, 06.07.2009




I nderuar President, zoti Fatmir Sejdiu,
I nderuar Kryeministër, zoti Hashim Thaçi,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë,
Zonja dhe zotërinj,

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë t’i drejtohem mikut tonë Kryetarit të Kuvendit të Madh të Turqisë, zotit Köksal Toptan.

Zoti Kryetar Toptan, Ju përshëndes përzemërsisht dhe në emër të Kuvendit të Kosovës Ju uroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës.

Dëshiroj personalisht t’ju falënderoj që iu përgjigjët ftesës për të vizituar Kosovën.

Gjatë vizitës sime Turqisë para gjashtë muajve Ju kam paraqitur të arriturat e Kosovës, sidomos pas shpalljes së Pavarësisë, por ardhja juaj këtu bën të mundur t’i shihni nga afër ndryshimet e mëdha të Republikës sonë të re dhe t’i ndjeni ato, sepse e di që si mik yni, Ju u gëzoheni atyre sikur edhe ne vetë. Për më tepër, duhet thënë me mirënjohje të thellë, që kontributi i Turqisë në bilancin e rezultateve tona është shumë i madh, prandaj e vlerësojmë lart.

Miqësia jonë, zoti Toptan shkon përtej interesave reciproke të të dy vendeve dhe popujve tanë, duke i shërbyer stabilitetit rajonal, paqes e sigurisë dhe integrimeve evroatlantike.

Republika e Turqisë mike përbën për Kosovën partnerin strategjik të marrëdhënieve të gjithanshme dhe të bashkëpunimit të ngushtë.

Faleminderit

Zoti Kryetar Toptan Ju ftoj t’i drejtoheni me një fjalë Kuvendit të Kosovës.