Lajmet e fundit

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit pritën kryetarin e Kuvendit të Madh të Turqisë, Köksal Toptan

, 06.07.2009




“Kam nderin që në emër të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, në emër të deputetëve dhe në emrin tim personal, t’Ju uroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës”, iu ka drejtuar kryeparlamentari Krysniqi kryetarit të Kuvendit të Madh të Turqisë, Köksal Toptan, nëpërmjet të të cilit e ka falënderuar Turqinë për gjithë mbështetjen e pakursyer për Kosovën dhe popullin e saj.

Krasniqi ka theksuar faktin se pas vizitës së delegacionit parlamentar të Kosovës në Turqi (në fillim të këtij viti), Kosova ka shënuar hapa të rëndësishëm në njohjen ndërkombëtare të saj dhe anëtarësimin në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Ai ka theksuar konsensusin e institucioneve dhe të qytetarëve të Kosovës për integrime evropiane, duke shfaqur shpresën se në një kohë jo të largët Turqia dhe Kosova do të jenë anëtare të BE-së.

Kreu i Kuvendit ka pohuar se në këtë legjislaturë janë miratuar Kushtetuta e Kosovës dhe shumë ligje që i garantojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve, sidomos të pjesëtarëve të minoriteteve. Ai ka theksuar se të gjitha minoritetet, pos atij serb, janë integruar mirë në shoqërinë e Kosovës. Beogradi zyrtar vazhdon të mos e njohë realitetin e ri të krijuar në Kosovë, duke i nxitur qytetarët serbë të Kosovës të mos integrohen dhe të mos të dalin në zgjedhjet lokale, ka pohuar kreu i Kuvendit të Kosovës.

“Shteti i ri i Kosovës po krijon siguri dhe stabilitet në rajon, kurse Qeveria e Kosovës po krijon lehtësi për investimin e kapitalit të huaj në vendin tonë”, ka thënë Krasniqi në takim me homologun e tij turk, duke bërë thirrje që të trimërohen afaristët turq të investojnë në Kosovë.

“ Po e ndjejmë vetën si në shtëpinë tonë”, ka thënë kryetari i Kuvendit të Madh të Turqisë, Köksal Toptan, i cili udhëheq delegacion parlamentar turk. Duke shprehur përkushtimin e fortë të Turqisë për çështjen e Kosovës, për integritetin territorial të saj dhe për sigurinë e rajonit, kryeparlamerntari turk ka theksuar lidhjet e shumta kulturore, historike dhe familjare ndërmjet dy vendeve. “Në Turqi ndoshta ka më shumë banorë me origjinë nga Kosova se sa ka banorë vendi juaj”, ka thënë Toptan, duke pohuar se ky fakt dhe prania e komunitet turk në Kosovë janë shtysa të forta për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë. Se ekziston një disponim i veçantë në Turqi për mbështetjen e pavarësisë së Kosovës Toptan e ka ilustruar me Grupin e miqësisë Turqi-Kosovë, në të cilin janë anëtarësuar 384 deputetë nga gjithsej 544 sa i ka Parlamenti turk. Duke theksuar vëmendjen e vendit të tij për zhvillimin e gjithanshëm të Kosovës, Toptan ka shprehur interesin për të nxitur investitorët turq të investojnë, jo vetëm në ekonominë e Kosovës, por edhe në shëndetësi, arsim shkencë etj. Në këtë mes ai ka vlerësuar projektet e arsimit në Kosovë të Agjencionit Turk për Zhvillim dhe sidomos të Universitetit Teknik të Lindjes së Mesme që do të funksionojë në Kosovë.

Kryeparlamentari turk ka shprehur dëshirën që Kosova të ketë zhvillim dhe marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, përfshirë edhe Serbinë, por ka pohuar gjithashtu se vendi i tij do të vazhdojë praninë ushtarake në Kosovë, nëpërmjet KFOR-it, si dhe ta mbështesë Kosovën edhe me policë dhe me ekspertë të sigurisë, për sa kohë të ndjehet e nevojshme.

Edhe parlamentarët e tjerë turq, pjesëtarë të delegacionit, kanë uruar për pavarësinë e vendit, duke theksuar gëzimin e madh që ka mbretëruar në Turqi ditën e shpalljes së saj. Ata janë shprehur të bindur se Kosova do ta marrë vendin e merituar në komunitetin ndërkombëtar.

Edhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, përfshirë edhe ata nga radhët komuniteteve pakicë, kanë vlerësuar mbështetjen e deritashme të Turqisë për Kosovën dhe kanë shtruar nevojën për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe sidomos dy parlamenteve. Ata e kanë vlerësuar të nevojshme ndihmën që mund të japë Parlamenti turk në shumë fusha, sidomos për sa i përket protokollit dhe procedimit të ligjeve.

Kryetari i Kuvendit të Madh të Turqisë, Köksal Toptan, është shprehur i gatshëm që legjislativi i vendit të tij të ofrojë trajnime (pa pagesë) për stafin civil të Kuvendit të Kosovës.

Krasniqi dhe Toptan pas këtij takimi kanë mbajtur një konferencë me gazetarë, në të cilën kanë theksuar vullnetin e ndërsjellë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve dhe lidhjet kulturore historike dhe familjare, të cilat shpijnë në forcimin e miqësisë ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve.
Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit pritën kryetarin e Kuvendit të Madh të Turqisë, Köksal Toptan