Lajmet e fundit

Nga mbledhje e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

, 07.07.2009




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka shqyrtuar propozimvendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për caktimin e datës për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe të banesave. Datën e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe të banesave duhet ta përcaktojë Kuvendi i Kosovës, i cili propozimvendimin e Qeverisë ia ka përcjellë Komisionit Parlamentar për Shërbimet Publike, Pushtetin Lokal dhe Media, për të përgatitur raportin me rekomandime, para se çështja të nxirret për shqyrtim në seancë plenare.

Kryesia e Kuvendit e ka shqyrtuar edhe përfundimin e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi lidhur me kërkesën e Shoqërisë Civile për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03-L-040 për vetëqeverisjen lokale. Në përfundimin e Komisionit thuhet se kërkesa e shoqërisë civile për ndryshimin plotësimin e Ligjit për vetëqeverisjen lokale ka bazë ligjore në nenin 79 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ndërsa procedura për propozimin e amendamenteve nga ana e Shoqërisë Civile dhe mënyra e procedimit të projektligjit në Kuvend nuk është e rregulluar me ligj dhe as me Rregulloren e Punës së Kuvendit. Kryesia i ka sugjeruar Komisionit që për përfundimin e tij ta njoftojë Shoqërisë Civile.

Në të njëjtën mbledhje anëtarët e Kryesisë kanë shqyrtuar edhe kërkesën e Grupit Parlamentar “7+”-së për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin për Legjislacion dhe Gjyqësi, Xhezair Murat me znj. Myfera Shinik.
Nga mbledhje e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës