Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Kosovës

, 10.07.2009




Në vazhdimin e seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga dr.Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit dhe një pjesë të saj nga anëtari i Kryesisë, Xhavit Haliti , deputetët kanë shqyrtuar për herë të parë dhe miratuar në parim Projektligjin kundër korrupsionit, prezantimin e të cilit e kishte bërë dje ministrja e Drejtësisë Nekibe Kelmendi.

Deputetët kanë miratuar gjithashtu në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për prokurimin publik në Kosovë, të prezantuar nga ministri për Ekonomi dhe Financa, Ahmet Shala, si dhe kanë shqyrtuar për herë të dytë dhe miratuar përfundimisht Projektligjin për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar apo konfiskuar dhe Projektligjin për punësimin e shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës.

Deputetët, ndërkaq, sipas propozimit të Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion ia kanë kthyer Qeverisë për rihartim Projektligjin për rezervat shtetërore të mallrave.

Po në seancën e sotme është shqyrtuar edhe Raporti i Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 2003/11 për rrugët. Raportim me rekomandime e ka prezantuar kryetarja e këtij komisioni, Myzejene Selmani, kurse shpjegime sqaruese ka dhënë ministri i Transportit dhe telekomunikacionit, Fatmir Limaj.

Deputetët me shumicë votash (votim i fshehtë) anëtare të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës, e kanë zgjedhur znj. Sabile Abdyli, por nuk ia kanë dhënë besimin të propozuarve të Qeverisë për drejtor dhe zëvendësdrejtor të Rregullatorit për Ujëra e Mbeturina, zotërinjve: Raif Preteni dhe Kero Bardhi.

Në seancë është shqyrtuar dhe miratuar dokumentit Letra e Bardhë: Sfidat e përfshirjes sociale në Kosovë, të cilën e ka hartuar Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane, në bashkëpunim me Komisionin për Shëndetësi dhe mbështetjen e UNDP-së. Raportin me rekomandime për këtë dokument e ka prezantuar anëtari i këtij komisioni, Naser Rugova.
Nga vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Kosovës