Lajmet e fundit

Nga mbledhje e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

, 14.07.2009




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka përcaktuar rendin e ditës për dy seancat e ardhshme plenare.

Në seancën e 17 korrikut, pas kohës për pyetjet parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, deputetët do të shqyrtojnë Rekomandimet e Komisionit për Integrime Evropiane lidhur me Planin e Veprimit të Kuvendit të Kosovës për Sfidat e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2008. Në vazhdim do të shqyrtohet Raporti i audituar i Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës dhe Pasqyrave Financiare për vitin 2008, Raporti i punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe Raporti i punës së Institutit Gjyqësor të Kosovës, për të njëjtin vit.

Deputetët do të kenë rast të debatojnë lidhur me gjendjen në Radio Televizionin e Kosovës (sipas kërkesës së një grupi të deputetëve), kurse në fund të seancës do ta shqyrtojnë Rekomandimin e Komisionit Parlamentar Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës (nga komuniteti serb).

Në seancën e 23 korrikut, pas pikës së zakonshme: koha për pyetje parlamentare, deputetët do të merren me miratimin e projektligjeve. Do të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, ai për financimin e programeve të veçanta të banimit, Projektligji për tatimin në të ardhurat personale, ai për përcaktimin e të drejtave dhe mbrojtjen e topografisë së qarqeve të integruara, Projektligji për parandalimin dhe luftimin e krimit në kibernetikë, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-105 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2009.

Në po këtë seancë do të ratifikohet Marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për përvetësimin e Kredisë, si dhe Memorandumi i Misionit të Thesarit të Bankës Botërore ( 23-25 qershor 2009).

Do të shqyrtohet, ndërkaq, edhe Propozim-vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpalljen e hapësirës- zonë me interes të veçantë ekonomik, për ndërtimin e hidrocentralit “Zhur”.

Anëtarët e Kryesisë, duke e shqyrtuar kërkesën e deputetes Donika Kadaj-Bujupi, përkrahur nga dymbëdhjetë deputetë, për të debatuar lidhur me Lirinë e Medies në Kosovë, kanë vendosur që çështjen ta radhisin në rend dite për seancën e parë të sesionit vjeshtor.

Në mbledhje është shqyrtuar edhe kërkesa e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me nxjerrjen e Urdhëresës Administrative nga Qeveria e Kosovës për zbatimin e Ligjit për qasje në dokumentet zyrtare, si dhe Propozivendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me propozimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit të Kosovës.
Nga mbledhje e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës