Lajmet e fundit

Presidenti Sejdiu mban fjalimin tij vjetor në Kuvend

, 09.07.2009




Në pjesën e parë të seancës së sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u është drejtuar deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës me fjalimin e tij vjetor në Kuvend.

Presidenti Sejdiu ka vënë në pah përparimet e mëdha të Kosovës në ndërtimin institucional të vendit, thellimin e demokracisë dhe afirmimin ndërkombëtar të vendit. Në raportin e tij vjetor presidenti ka folur për kontaktet e shumta të tij me burrështetas të vendeve të ndryshme, duke u përqendruar sidomos në takimet që ka pasur me ish-presidentin amerikan Bush dhe funksionarë të tjerë të lartë të këtij vendi që e ka mbështetur pavarësinë e Kosovës. Ka veçuar, ndërkaq, edhe takimet me përfaqësues të ndryshëm të BE-së dhe të vendeve, anëtare të këtij bashkimi. Sejdiu ka numëruar edhe pjesëmarrjen e tij në forume të ndryshme ndërkombëtare dhe çmimet e ndryshme dhe dekoratat që i ka marrë nga asociacione me renome ndërkombëtare, të cilat, siç është shprehur presidenti, i ka pranuar edhe si mirënjohje për Kosovën dhe popullin e saj.

Ndër sukseset ndërkombëtare të Kosovës, pos njohjeve nga 61 vendeve të ndryshme, Sejdiu ka përmendur nënshkrimin nga ai dhe kryeministri Thaçi të dokumentit për anëtarësimin e vendit në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Si suksese në planin e brendshëm presidenti ka përmendur përcaktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve lokale, si dhe kohën e regjistrimit të popullsisë së Kosovës, reformimin e sistemit gjyqësor të Kosovës me krijimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, dekretimin e mbi 90 ligjeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës etj. Ai në vazhdim ka përmendur dekretimin e eprorëve të lartë të FSK-së dhe krijimin e Agjencisë për Inteligjencë. Lidhur me promovimin dhe garantimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, sidomos të atyre nga radhët e komuniteteve, Sejdiu ka përmendur krijimin dhe funksionimin e Këshillit Konsultative për Komunitete. Ai edhe më këtë rast i ka ftuar qytetarët serbë të Kosovës që të integrohen në shoqërinë e Kosovës dhe të marrin pjesë në zgjedhjet e sivjetme lokale. Duke folur për rëndësinë që presidenti i jep lirisë së lëvizjes së qytetarëve, presidenti Sejdiu ka theksuar se moto e angazhimeve të tij është integrimi i Kosovës në BE.

Përfundimi i fjalimit vjetor të presidentit në Kuvendin e Kosovës është shoqëruar me ngritje në këmbë të deputetëve e të Kabinetit qeveritar dhe me duartrokitje frenetike nga të pranishmit në seancë.
Presidenti Sejdiu mban fjalimin tij vjetor në Kuvend