Lajmet e fundit

Nga tryeza për Projektligjin për hetimin parlamentar

, 15.07.2009




Komisioni Parlamentar për Legjislacion dhe Gjyqësi ka mbajtur një tryezë të rrumbullakët për Projektligjin për hetimin parlamentar, në të cilin merrnin pjesë përfaqësues të institucioneve vendëse e ndërkombëtare në Kosovë, si dhe të interesuar të tjerë për këtë projektligj.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, Bahri Hyseni, i cili e ka drejtuar këtë takim, ka theksuar faktin se tekstin e Projektligjit e ka hartuar vetë Komisioni, për të cilin ka organizuar edhe një dëgjim publik me ekspertë dhe të interesuar të tjerë. Ai me këtë rast ka specifikuar edhe propozimet për plotësimin e Projektligjit që kanë ardhur nga Instituti Nacional demokratik (NDI), nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ( KMDLN) dhe nga Instituti Gjyqësor i Kosovës.

Udhëheqësja e seksionit për Mbështetje Kuvendit të Kosovës, Misioni i OSBE-së në Kosovë, Znj.Jennifer Ober, ka shprehur gatishmërinë e institucionit, të cilin e përfaqëson për ta mbështetur krijimin e një ligji të përshtatshëm për hetim parlamentar.

Eksperti parlamentar nga Belgjika, Peter Vanhoutte, (ish-deputet në Parlamentin e Belgjikës) ka prezantuar para anëtarëve të komisionit përvojat belge për krijimin dhe funksionimin e komisioneve parlamentare, si dhe përvojat e vendeve të tjera të BE-së për komisione të ngjashme.

Drejtori i NDI-së në Kosovë, Glenn Bradbury, ndërkaq, ka prezantuar përvojat e Parlamentit Kanadez për hetim parlamentar.

Nga tryeza kanë dalë konkluzione me vlerë, të cilat do të gjejnë vend në tekstin përfundimtar të projektligjit që do t’i propozohet Kuvendit për miratim:

- komisione hetimore parlamentare krijohen për hetimin e çështjeve me interes publik, të cilat i përkasin përgjegjësisë kushtetuese të Kuvendit.
- Komisioni hetimor nuk merr rekomandime nga ndonjë komision tjetër parlamentar,
- komisione për hetime parlamentare të mos krijohen shpesh ( jo ma shumë se dy të tilla në një vit pune të Kuvendit),
- Kuvendi merr vendim (me shumicë votash) për raportin e komisionit hetimor,
- të përcaktohet vijë buxhetore për Komisionin, - afati i funksionimit të Komisionit të jetë më së shumti gjashtë muaj,
- kryesuesi i Komisionit të caktohet nga seanca plenare, kurse zëvendëskryesuesi, doemos, të jetë nga radhët e komuniteteve pakicë,
- Komisioni të vendos me shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve,
- Raporti i Komisionit hetimor të bëhet publik.
Nga tryeza për Projektligjin për hetimin parlamentar