Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi ka pritur deputeten Parlamentit zviceran, Bermasconi

, 17.07.2009




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr.Jakup Krasniqi, ka pritur sot deputeten e Parlamentit zviceran, znj. Maria Roth Bermasconi, me të cilën ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe për nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe dy parlamenteve.

Kryeparlamentari Krasniqi e ka falënderuar shtetin e Zvicrës për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe popullin e saj, sidomos gjatë viteve 80-a e këtej, duke strehuar një numër të konsiderueshëm të qytetarëve të Kosovës, të larguar nga represioni i regjimit të Beogradit.

Krasniqi në vazhdim ka folur për numrin e madh të ligjeve të miratuara në Kuvend, me theks të veçantë ligjet sistemore dhe ato që burojnë nga Pakoja e Ahtisarit.

Parlamentarja zvicerane, Maria Roth Bermasconi, e cila është kryetare e Komisionit për Institucione, nënkryetare e Grave Socialiste, si dhe kryetare e Universitetit Shqiptar në Gjenevë, ka vlerësuar të arriturat e Kosovës në planin e funksionimit të institucioneve, demokratizimin e raporteve dhe stabilitetin e vendit pas pavarësisë.

Ajo është angazhuar për thellimin bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe dy parlamenteve, si dhe është zotuar se, në të kthyer në vendin e saj, do të iniciojë krijimin në Parlamentin Zviceran të Grupit të miqësisë me Kosovën. Ajo, ndërkaq, ka pohuar se do të angazhohet për organizimin e një vizite të Kryeparlamentarit Krasniqi në Bernë.
Kryeparlamentari Krasniqi ka pritur deputeten Parlamentit  zviceran, Bermasconi