Lajmet e fundit
Nga punimet e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës
, 23.07.2009
Kuvendit i Republikës së Kosovës në seancën e sotme, të kryesuar nga dr.Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka ratifikuar Marrëveshjen për Përvetësimin e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe Memorandumin e Misionit të Thesarit të Bankës Botërore (23-25 qershor 2009). Për rëndësinë që kanë këto marrëveshje për ekonominë e Kosovës dhe afirmimin ndërkombëtar të vendit, para deputetëve kanë folur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala.
Për shkak të rëndësisë që ka për vendin, sot i është dhënë përparësi shqyrtimit të parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-105 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2009. Atë e ka prezantuar ministri i Ekonomisë Ahmet Shala. Ka pasuar një debat i gjerë parlamentar për këtë projektligj, madje edhe kritika të ashpra të deputetëve nga radhët e opozitës për destinime të caktuara mjetesh të taksapaguesve kosovarë, të cilave në shumë raste, u është përgjigjur kryeministri Thaçi.
Deputetët në seancën e sotme kanë votuar për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës nga komuniteti serb. Anëtari këtij këshilli është zgjedhur Irena Cvetiq-Ahmeti.
Në fillim të seancës, si rëndom, Kabineti qeveritar u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë së Kosovës.
Seanca i vazhdon punimet nesër në orën 10:00.
Po nesër, në orën 15:00, ndërkaq, do të mbahet seancë e re për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin Ligjit për Buxhetin.