Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 22.07.2009




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të cilin e kryesoi Gani Koci, kryetar komisioni pikë kryesore e rendit të ditës ishte shqyrtimi i Raportit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2008.

Në mbledhjen e përmendur, krahas anëtarëve të komisionit, morën pjesë edhe përfaqësuesit të Bankës qendrore të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga guvernatori, z. Hashim Rexhepi, përfaqësuesit e ICO, OSBE, USAID, KDI dhe Asociacioni i komunave të Kosovës.

Në mbledhjen e përmendur, duke folur për Raportin e BQK-së, për vitin 2008, z. Hashim Rexhepi theksoi se Raporti i lartpërmendur është hartuar sipas standardeve ndërkombëtare dhe sipas Ligjit mbi Bankën Qendrore të Kosovës. Në vazhdim z. Rexhepi theksoi që gjatë vitit të kaluar zhvillimi ekonomik i Kosovës ishte në nivelin 5.4%, ndërsa, për shkak të recesionit ekonomik global, deri në fund të këtij viti, kjo rritje pritet që të jetë 3.4%. Gjatë vitit 2008 inflacioni në Kosovë ishte në nivelin 9.3%, ndërsa, për këtë vit, pritet që inflacioni të jetë më i lartë se sa vitin e kaluar. Gjatë vitit 2008 deficiti tregtar i Kosovës me botën ishte në nivelin 1.6 miliard euro, ndërsa investimet e jashtme ishin në rënie dhe kishin një trend negativ prej 14.6%.

Z. Rexhepi, në vazhdim të ekspozesë, theksoi se gjatë vitit 2008, të gjitha llojet e sigurimeve (pronës, automjeteve etj.), ka shënuar një rritje prej 8%, në raport me vitin 2007, dhe se, gjatë vitit 2008, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka nënshkruar edhe marrëveshjet për bashkëpunim gjithëpërfshirës me bankat e Kroacisë dhe Turqisë.

Anëtarët e Komisionit, pas diskutimit gjithëpërfshirës, kanë miratuar në parim Raportin e përmendur dhe, njëkohësisht, kanë mbështetur procedimin e mëtejmë të njëjtit në Kryesinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa