Lajmet e fundit

Nga mbledhje e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

, 28.07.2009




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka shqyrtuar Propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit dhe ka vendosur që këtë çështje ta radhisë për seancën e parë plenare të Sesionit vjeshtor të Kuvendit.

Kryesia ka shqyrtuar edhe Rekomandimin e Komisionit për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media lidhur me kërkesën e Shoqërisë Civile për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për vetëqeverisjen lokale. Anëtarët e Kryesisë janë pajtuar me rekomandimin e komisionit që të procedohet një rregullore e veçantë për miratim në Kuvend, lidhur me iniciativat qytetare, të cilat i garanton Kushtetuta, por që aktualisht nuk janë të rregulluara as me ligj të veçantë, as me Rregulloren e punës së Kuvendit. Anëtarët e Kryesisë janë njoftuar me shkresën e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë lidhur me përfundimin e mandatit të tre anëtarëve të Bordit të Komisionit për Miniera dhe Minerale, si dhe me Raportin e tre deputetëve pjesëmarrës në Asamblenë e X-të Parlamentare të NATO-s.

Pjesa më e madhe e mbledhjes së sotme të Kryesisë, ndërkaq, i është kushtuar shqyrtimit të Propozim-Rregullores për organizimin dhe përgjegjësitë e Administratës së Kuvendit të Kosovës. Me këtë rregullore të propozuar bëhen disa ndryshime në organogramin e Administratës së Kuvendit, të cilat janë në funksion të organizimit më të mirë dhe efikasitetit të punës së kësaj administrate.
Nga mbledhje e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës