Lajmet e fundit
Seancë solemne e Kuvendit të të Rinjve të Kosovës
, 12.08.2009
Me rastin e Ditës Botërore të Rinisë, sot, u mbajt në Prishtinë seanca solemne e Kuvendit të të Rinjve të Kosovës, nën kryesinë e Avdullah Hasanit, kryetar i Kuvendit, e ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të Zyrës për Qeverisje të Mirë të Kryeministrisë, kryesuar nga Habit Hajredini. Seancën e hapi Avdullah Hasani, i cili përgëzoi të pranishmit për këtë ditë të shënuar të të rinjve të vendit dhe të gjithë botës. Ai në vijim foli për të arriturat e Kuvendit të të Rinjve të Kosovës, i cili funksionon që nga 19 maji i këtij viti. Si në fjalën e tij, ashtu edhe në diskutimet e deputetëve, u theksua se Kuvendi i të rinjve të Kosovës tashmë është në rrugë të mbarë drejt dhënies së kontributit në të gjitha përballjet e të rinjve të Kosovës, si dhe në qasjen e tyre për pjesëmarrje në vendimmarrje në të gjitha proceset që zhvillohen në Kosovë, posaçërisht ato që kanë të bëjnë me të ardhmen e të rinjve , por edhe të mbarë qytetarëve të vendit. Në këtë vështrim u tha se gjithë puna e Kuvendit të të Rinjve të Kosovës shpreh frymën e lirisë dhe të barazisë.
Diskutuesit shprehnin gatishmëri të veçantë për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet rinia shkollore e Kosovës. Në këtë tubim u përmenden edhe shumë nisma e veprimtari që kanë të bëjnë me zgjerimin e bashkëpunimit të të rinjve të Kosovës me të rinjtë e rajonit dhe më gjerë në Evropë e botë. Kuvendi i të Rinjve të Kosovës tashmë ka vendosur marrëdhënie të mira bashkëpunimi me Parlamentin Evropian, si dhe me Asamblenë e të Rinjve që vepron në kuadër të OKB-së. Në këtë asamble të të rinjve nga bota së shpejti pritet të zgjidhen edhe dy delegatë nga Kuvendi i të Rinjve të Kosovës.
Duke përshëndetur deputetët e rinj, Habiet Hajredini shprehu gatishmërinw e Qeverisë së Kosovës për të ndihmuar Kuvendin e të Rinjve të Kosovës, si dhe për të bashkëpunuar në projekte të përbashkëta në të mirë të të rinjve dhe të vendit në përgjithësi. Avdullah Hasani shprehu keqardhje që në këtë Kuvend nuk morën pjesë të rinj nga komuniteti serb. Ai dha porosinë që partitë politike nga komuniteti serb të angazhohen dhe të nxisin të rinjtë serbë që të marrin pjesë në veprimtarinë e Kuvendit të të Rinjve të Kosovës.