Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport

, 08.09.2009




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport i Kuvendit të Kosovës , në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Agim Veliu, kryetar i Komisionit, përkrahu procedimin e mëtejmë në Kuvend të Projektligjit për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë. U bë kjo në mbështetje të Raportit përfundimtar me rekomandime të grupit punues të këtij Komisioni, si dhe të raporteve të komisioneve të tjera që kishin ardhur, pasi kishin shqyrtuar amendamentimet dhe gjithashtu i kishin përkrahur ato. Ky Projektligj ka për qëllim avancimin dhe riafirmimin e vazhdueshëm të pjesëmarrjes së të rinjve në procesin vendimmarrjes, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës së të rinjve dhe të statusit të tyre shoqëror.

Në këtë mbledhje u ngritën edhe disa çështje të tjera që sipas diskutuesve mund të shtroheshin për shqyrtim në ndonjë mbledhje të ardhshme. Në këtë vështrim u tha se tashmë që ka përfunduar edhe afati i dytë i provimit të maturës është mirë të kërkohet nga Ministria e Arsimit një raport gjithëpërfshirës rreth ecurisë dhe rezultatet e këtij provimi. Pas shqyrtimit të këtij Raporti, eventualisht, do të mund të merrej ndonjë nismë për plotësimin e Ligjit të Arsimit, që ka të bëjë me provimin e maturës. Me këtë rast u fol edhe për çështjen e shtimit të numrit të studentëve në vitin e parë në universitetin publik, që u bë sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit, në aspektin e reflektimit në cilësinë e studimeve.
Mbledhja e Komisionit për  Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport