Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

, 08.09.2009




Komisioni për Integrime Evropiane, në mbledhjen e tij të parë të sesionit vjeshtor, kishte ftuar sot zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi për të raportuar para Komisionit për Planin e Ri të Veprimit të Qeverisë për Partneritet Evropian, të miratuar nga ekzekutivi i vendit 13 gusht të këtij viti.

Kuçi ka theksuar se Qeveria ka paraparë të implementohen 1598 veprime për përmbushjen e PVPE-së në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme. Këto veprime, kë thënë ai, i kanë identifikuar dhe formuluar vetë ministritë, ndërkaq, procesin e ka ndihmuar Agjencia për Koordinim të Zhvillimit dhe Integrimit Evropian. Ai ka pohuar se strukturat e gjashtë grupeve punuese, Komiteti Punues për Integrim Evropian, Komisioni Ndërministror për Integrim Evropian, por edhe vetë mbledhjet e Qeverisë, do të shërbejnë për implementimin e veprimeve të identifikuara në PVPE, kurse çdo institucion i Kosovës do të mbajë përgjegjësitë e veta për përmbushjen e tyre.

Zëvendëskryeministri Kuçi është shprehur i gatshëm që PVPE-në ta sjellë për shqyrtim edhe në seancën e Kuvendit të Kosovës për ta plotësuar dhe fuqizuar dokumentin.

Anëtarët e Komisionit, në këtë mbledhje të drejtuar nga Zylfie Hundozi , kryetare e Komisionit, kanë vlerësuar punën e bërë për hartimin e PVPE-së, por kanë vlerësuar se është dashur numër më i pakët veprimesh dhe përqendrim më i madh për t’i përmbushur ato me cilësi dhe në afate sa më të shkurtra. Ata, ndërkaq, kanë theksuar faktin që Qeveria e Kosovës aktualisht nuk ka kapacitete të mjaftueshme profesionale për integrimet evropiane. Ka pasur edhe zëra që për shkak të afirmimit të pamjaftueshëm të punëve të kryera, në raportet e progresit të Kosmisionit Evropian, kanë rezultuar si objektiva të papërmbushura.

Në vazhdim të mbledhjes së sotme Komisioni ka shqyrtuar nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së: Projektligjin për Gazin natyror, atë për Ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.02/L-33 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Projektligjin për i Projektligjit Nr.03/L-145 për fuqizimin dhe pjesëmarrjen e rinisë dhe Projektligjin për masat antidamping (të gjitha këto me amendamentet e komisioneve funksionale).
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane