Lajmet e fundit

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, vizitoi nënat e personave të zhdukur

, 08.09.2009




Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, nën drejtimin e z. Ismet Beqiri, kryetar i Komisionit, sot vizituan nënat e personave të zhdukur.

Gjatë vizitës, anëtarët e Komisionit, në tendën e improvizuar para Institutit për Mjekësinë Ligjore, u takuan me nënat ( gjithsej 6), të cilat qe nëntë ditë janë grevë, për të ardhur deri te informatat e nevojshm, përkatësisht identifikimin e mbetjeve mortore, të cilat gjenden në kontejneret afër këtij Instituti.

Gjatë vizitës, kryetari i Komisionit, z. Ismet Beqiri, në emër të tij dhe në emër të Komsionit, shprehu solidaritetin me nënat e personave të zhdukur në lidhje me identifikimin e gjetjeve mortore dhe theksoi se në pajtim me kompetencat e veta, ky Komision, në mbledhjen e parë, do të kërkojë që kjo çështje të vehet në rend dite të mbledhjes së rregullt të Kuvendit të Kosovës, dhe për këtë pikë të zhvillohet diskutim gjithëpërfshirës.

Në emër të nënave të personave të pagjetur, zonja Nusrete Kumnova iu falënderua anëtarëve të Komisionit për vizitën e bërë dhe për solidaritetin me to, duke theksuar se nënat e personave të pagjetur janë të vendosura të vazhdojnë me grevën, për të bërë presion te të gjithë faktorët relevant, në mënyrë që sa më shpejt të bëhet identifikimi i 400 mbetjeve mortore që gjenden në kontejneret e Institutit për Mjekësi Ligjore në Prishtinë.
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, vizitoi nënat e personave të zhdukur